Paralajmërohet përkeqësim i motit, kush janë bashkitë më të rrezikuara
Agjencia e Mbrojtjes Civile ka njoftuar për përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike nga pasditja e sotme dhe gjatë ditës së nesërme, me reshje të shtuar shiu, lokalisht intensive dhe të shoqëruara me shtrëngata në disa qarqe të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e Mbrojtjes Civile janë vënë në gatishmëri të shtuar për të marrë masa parandaluese, veçanërisht në zonat me potencial të lartë për përmbytje. Thirrja u drejtohet gjithashtu bashkive dhe prefekturave për ndjekje të vazhdueshme të situatës në terren dhe raportim të menjëhershëm pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.
Qarqet më të rrezikuara
Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës do të përballen me reshje intensive shiu nga pasditja e së mërkurës deri të enjten. Reshje lokale, por të dendura, parashikohen edhe në Shkodër dhe Korçë.
Në pjesën tjetër të vendit, reshjet do të jenë kryesisht mesatare dhe të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në veri, lindje dhe juglindje, veçanërisht mbi 900 metra mbi nivelin e detit, priten reshje dëbore.
IGJEO paralajmëron për rrezik të vërshimeve të ujit, rënie gurësh dhe probleme në zonat urbane, sidomos në qarqet Shkodër, Kukës, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.
Kujtesë nga përmbytjet e fundit
Në fillim të këtij muaji, Shqipëria u përball me përmbytje masive nga veriu në jug të vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në Durrës, Lezhë dhe Gjirokastër, si dhe goditje të fortë për sektorin e bujqësisë dhe infrastrukturën rrugore.
Det i trazuar, ndalohet lundrimi për mjetet e vogla në Vlorë
Autoriteti Portual i Vlorës ka ndaluar daljen në det të hapur për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, për shkak të erërave të forta me shpejtësi 15–25 m/s dhe dallgëve që arrijnë deri në 2.5 metra.
Ndalimi vlen nga ora 06:00 e datës 28 janar deri në orën 06:00 të datës 29 janar 2026, si për Gjirin e Vlorës ashtu edhe për detin e hapur. Anijet e transportit detar ndërkombëtar do të vijojnë operimin normal.
Autoritetet u bëjnë thirrje subjekteve detare të marrin masa për sigurimin e mjeteve dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.
Temperaturat
Temperaturat pritet të luhaten:
-
9–14°C në bregdet
-
5–12°C në zonat e ulëta
-
2–8°C në zonat malore
Sipas parashikimeve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike pritet pas orës 06:00 të datës 29 janar 2026.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



