Gjykata Kushtetuese lë thatë Ramën, gjunjëzohet Belinda Balluku
Përplasja mes qeverisë dhe drejtësisë përfundoi me një vendim që e lë ekzekutivin pa rrugëdalje: pezullimi i zv/kryeministres Belinda Balluku nga detyra mbetet në fuqi. Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim mbi ankimin e kryeministrit Edi Rama, duke e lënë në fuqi automatikisht vendimin e Gjykatës së Posaçme.
Pas afro 10 orësh diskutime me dyer të mbyllura, gjyqtarët e Kushtetueses votuan, por rezultati ishte i barabartë: 4 me 4. Me trupën aktuale prej 8 anëtarësh dhe mungesën e një anëtari të nëntë, nuk u arrit shumica minimale prej 5 votash që nevojitet për të rrëzuar apo për të lënë në fuqi ankimin. Në këto kushte, vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut mbetet i pandryshuar.
Kjo do të thotë se kryeministri Rama dështoi të bindë Kushtetuesen se pezullimi i një ministri nga drejtësia përbën shkelje të balancës së pushteteve dhe cenim të kompetencave të qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit. Përballë këtij ngërçi institucional, rezultati praktik është i qartë: Balluku qëndron e pezulluar nga detyra.
Vendimi vjen pas një maratone seancash gjatë janarit dhe fillimit të shkurtit 2026, ku qeveria dhe SPAK u përballën drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese. Ekzekutivi argumentoi se pezullimi i një zv/kryeministreje të zgjedhur politikisht krijon vakum institucional dhe paralizon funksionimin normal të qeverisë. Nga ana tjetër, SPAK këmbënguli se rikthimi i saj në detyrë do të rrezikonte integritetin e hetimeve, duke përmendur mundësinë e ndikimit mbi prova dhe procedura në dosjen për shkelje të barazisë në tendera.
Si shpërtheu përplasja
E gjithë saga nisi në tetor 2025, kur Prokuroria e Posaçme regjistroi Belinda Ballukun si të pandehur për shkelje të barazisë në tendera publikë. Pas paraqitjes në SPAK, ajo u vu zyrtarisht nën hetim.
Më 11 nëntor 2025, SPAK kërkoi pezullimin e saj nga detyra, duke argumentuar se pozicioni i lartë shtetëror mund të ndikonte në hetim. Gjykata e Posaçme e pranoi kërkesën dhe vendosi pezullimin e menjëhershëm.
Dhjetë ditë më vonë, më 21 nëntor 2025, qeveria iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar këtë vendim. Argumenti kryesor ishte se ndërhyrja e drejtësisë në funksionet e një ministri cenon balancën e pushteteve dhe krijon boshllëk në drejtimin e ekzekutivit.
Më 12 dhjetor 2025, Kushtetuesja vendosi pezullimin e përkohshëm të vendimit të GJKKO-së, duke rikthyer Ballukun në detyrë deri në një vendim përfundimtar. Por ndërkohë, më 16 dhjetor 2025, SPAK i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e saj si deputete, çka nënkuptonte edhe heqjen e imunitetit parlamentar.
Përplasja kulmoi më 22 janar 2026, kur qeveria dhe SPAK paraqitën argumentet përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese. SPAK mbrojti masën e pezullimit si të domosdoshme për të shmangur komprometimin e provave, ndërsa qeveria e cilësoi si një akt antikushtetues që godet drejtpërdrejt funksionimin e ekzekutivit.
Pas disa shtyrjeve dhe mbledhjesh pa rezultat, gjyqtarët u rikthyen sërish në fillim të shkurtit për vendimin final. Por barazimi i votave e la çështjen pa një verdikt të qartë, duke vulosur në praktikë humbjen e betejës së qeverisë në Kushtetuese.
Rezultati politik dhe institucional është i fortë: Rama mbetet pa mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese në këtë betejë, ndërsa Belinda Balluku vijon të jetë e pezulluar, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme në frontin penal dhe parlamentar.
NJOFTIM VENDIMMARRJEJE
Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 06.02.2026 mori në shqyrtim çështjen me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër; shfuqizimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.
Paraprakisht Gjykata vlerëson njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pika 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.
Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.
Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të Ligjit Organik të saj.
Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre, por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij.
Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit, synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri. Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik, vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.
Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj.
Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.
Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:
Rrëzimin e kërkesës.
Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



