EMRAT/ Kush janë gjyqtarët që ‘fundosën’ fatin e Belinda Ballukut
Zbardhen emrat e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që votuan kundër kërkesës së kryeministrit Edi Rama për heqjen e masës së pezullimit nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas të dhënave zyrtare, kundër kërkesës së Ramës votuan katër anëtarë të Kushtetueses: Marsida Xhaferllari, Elsa Toska, Sandër Beci dhe Asim Vokshi. Trupa gjykuese u nda në dy qëndrime të barabarta, duke mos arritur shumicën e nevojshme për një vendimmarrje përfundimtare.
Gjykata Kushtetuese shqyrtoi sot kërkesën e kryeministrit, e cila kishte si objekt zgjidhjen e konfliktit të kompetencës mes ekzekutivit dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe shfuqizimin e vendimeve gjyqësore për vendosjen dhe vijimin e masës së pezullimit ndaj Belinda Ballukut në detyrën e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Çfarë thotë Kushtetuesja
Në njoftimin zyrtar, Gjykata vlerësoi njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga Kushtetuta dhe se ai nuk përfshin garancinë që parashikon Kodi i Procedurës Penale për moszbatimin e pezullimit ndaj personave të zgjedhur. Sipas Gjykatës, në sistemin kushtetues shqiptar edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen përgjegjës nëse e shkelin atë.
Kushtetuesja thekson se parimi i shtetit të së drejtës dhe epërsia e Kushtetutës mbi çdo akt tjetër ligjor garantojnë që edhe anëtarët e qeverisë t’i nënshtrohen kontrollit ligjor, ndërsa ndarja dhe balancimi i pushteteve mbetet një element themelor i rendit kushtetues.
Megjithatë, në përfundim të diskutimeve, gjyqtarët nuk arritën të siguronin numrin e votave të nevojshme për vendimmarrje. Qëndrimet u ndanë në dy kampe të kundërta mbi interpretimin e imunitetit të ministrave dhe nevojën për autorizim paraprak nga Kuvendi për masa si pezullimi nga detyra.
Një pjesë e gjyqtarëve vlerësoi se masa e pezullimit prek drejtpërdrejt funksionin kushtetues të ministrit dhe, për rrjedhojë, duhet të paraprihet nga autorizimi i Kuvendit për të ruajtur balancën mes pushteteve. Ndërsa qëndrimi tjetër argumentoi se Kushtetuta parashikon autorizim vetëm për masa të caktuara penale dhe se zgjerimi i kësaj garancie për pezullimin nga detyra nuk është i parashikuar në tekstin aktual kushtetues.
Vendimi final
Për shkak të ndarjes së votave, Gjykata Kushtetuese nuk arriti shumicën e kërkuar për të pranuar kërkesën e kryeministrit. Si pasojë, kërkesa për heqjen e masës së pezullimit u rrëzua dhe mbetet në fuqi vendimi i mëparshëm i Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.
Vendimi është përfundimtar dhe do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa arsyetimi i plotë pritet të publikohet brenda afateve ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



