“Thaçi është i pafajshëm”, mbrojtja sulmon prokurorinë në Hagë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Dosja e Hagës në pikën kritike, avokati: Po rishkruhet historia e Kosovës!

Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paraqitur deklaratën përmbyllëse në Gjykatën Speciale të Hagës, duke theksuar se akuza e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar është e pabazuar dhe e mbështetur në prova të paplota.

Avokati i Thaçit, Luka Mishetiç, u shpreh para trupit gjykues se procesi duhet të nisë nga parimi i pafajësisë së të pandehurit dhe se barra e provës i takon plotësisht prokurorisë.

“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u tha Mishetiç gjyqtarëve.

Ai ngriti shqetësimin se gjatë gjithë procesit janë neglizhuar prova dhe dëshmi që, sipas mbrojtjes, diskreditojnë pretendimet e akuzës.
“Si mundet që drejtuesit e këtyre drejtorive të UÇK, të kishin kryer veprime dhe këto veprime të mos ishin në dijeni të eprorit të tyre Zyrapi? Akuza ka pasur frikë t’i konfrontojë dhe t’i rrëzojë dëshmitarët”, tha Luka Mishetiç.

Sipas tij, në dosjen e prokurorisë janë shpërfillur elementë që do të rrëzonin akuzën.
“Nuk ka pasur prova për qëllimet që pretendon akuza”, shtoi ai duke theksuar se asnjë dëshmitar s’ka thënë diçka për krime lufte.

Mbrojtja përmendi edhe dëshmitë e diplomatëve ndërkombëtarë që, sipas saj, kanë dëshmuar se Thaçi ka bërë thirrje kundër dhunës gjatë luftës në Kosovë.
“Thaçi nuk ishte person që mund të kryente dhunë”, citoi avokati, duke shtuar se prokuroria po tenton të relativizojë këto dëshmi.

Ai theksoi gjithashtu:
“Pretendimet e ZPS-së se ndërkombëtarët nuk ishin të informuar saktë, është karakteristikë e veçantë duke marrë parasysh mënyrën e centralizuar të komunikatave të UÇK-së dhe intervistat në televizione. Provat dhe dëshmitë e këtyre dëshmitarëve ndërkombëtarë, rikonfirmohen fuqishëm nga zyrtarë të lartë të UÇK-së”.

Mishetiç u ndal edhe te dëshmia e ish-shefit të Shtabit të UÇK-së, Bislim Zyrapi, për të cilin tha se ka deklaruar se nuk kishte orientim institucional për kryerjen e krimeve.

Avokati tha se “dënimi i Thaçit do të përbënte një padrejtësi historike” dhe “po kërkohet të rishkruhet historia e Kosovës”.

Në mbështetje të Thaçit kanë dëshmuar edhe figura ndërkombëtare si ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s, Wesley Clark, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin dhe diplomati amerikan Christopher Hill.

Ndërkohë, Prokuroria e Specializuar ka përmbyllur më herët deklaratat e saj përfundimtare, duke pretenduar se ka paraqitur mijëra prova materiale dhe ka intervistuar mbi 130 dëshmitarë. Kryeprokurorja Kimberly West ka kërkuar dënime të rënda për ish-krerët e UÇK-së.

Pas përfundimit të deklaratave të të gjitha palëve, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili pritet të marrë vendimin në muajt në vijim. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Publikuar nga Publik Media