Bici i OST “qeras” me 5.3 milionë euro Maksim Azizajn dhe Shpëtim Cingën
Një procedurë prokurimi me vlerë disa milionë euro e zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe konkurrencën në përdorimin e fondeve publike. Tenderi lidhet me ndërtimin e linjës së re elektrike Çorovodë–Këlcyrë, projekt me vlerë rreth 5.3 milionë euro me TVSH.
Institucioni, i drejtuar nga Elisian Bici, ka shpallur fituese bashkimin e operatorëve ekonomikë “EMC Group”, në pronësi të Maksim Azizaj dhe Brixhilda Kurtit, së bashku me kompaninë “SHANSI INVEST”, në pronësi të Shpëtim Cinga dhe Bardhyl Cingës.

Vlera e fondit limit të vendosur nga autoriteti kontraktor ishte rreth 5.5 milionë euro me TVSH, ndërsa oferta fituese është paraqitur në nivelin 96.7% të kësaj shume. Diferenca minimale mes fondit të parashikuar dhe ofertës fituese, vetëm rreth 3%, ka nxitur dyshime mbi mungesën e një gare reale konkurruese për uljen e kostos së projektit.

Në procedurë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, ndërsa analiza e dokumentacionit tregon se ofertat e paraqitura nga pjesëmarrësit kanë qenë pothuajse identike në përmbajtje dhe vlerë. Kjo ngjashmëri e theksuar mes ofertave, e kombinuar me faktin se çmimi final afrohet maksimalisht me fondin limit, ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e konkurrencës dhe mënyrën e zhvillimit të procesit.


Sipas të dhënave të tenderit, projekti përfshin ndërtimin e një linje të re transmetimi që konsiderohet e rëndësishme për infrastrukturën energjetike. Megjithatë, mënyra se si është zhvilluar gara dhe rezultati financiar i saj kanë sjellë kritika mbi përdorimin e fondeve publike dhe mbi mungesën e kursimit për buxhetin e shtetit.
Praktika e ofertave pothuajse identike në tenderë publikë është shpesh objekt diskutimi në sektorin e prokurimeve, pasi ngre dyshime për konkurrencë formale dhe jo reale. Në këtë rast, kontrata e firmosur për një shumë që afrohet maksimalisht me fondin e parashikuar ka rikthyer debatin mbi transparencën dhe kontrollin e procedurave të mëdha infrastrukturore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



