Debate të forta në mbledhjen e Këshillit të Mandateve
Bardhi: Nuk mund të fshihni milionat e vjedhjeve të Ballukut
Balla: Jeni qesharakë, mjerë Shqipëria për këtë opozitë
Ka nisur me debate të forta mbledhja e Komisionit të Mandateve dhe Imuniteteve, i cili është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Që në fillim të seancës, kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin për zvarritjen për më shumë se dy muaj të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Belinda Ballukut.
“Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren”, është shprehur Bardhi gjatë debatit në komision.
Ai ka kërkuar që mbledhja e Këshillit të Imunitetit të jetë e hapur për publikun dhe mediat, duke argumentuar se transparenca është parim themelor i funksionimit të organeve të Kuvendit.
“Duke respektuar kërkesën e prokurorisë për të ruajtur sekretin hetimor, mendoj se mbledhja duhet te jete e hapur dhe vetëm për raste kur prokurori dëshiron të ndaje me Këshillin nje te dhene qe përben sekret hetimor, te vendoset qe dhenia e atij informacioni te behet me dyer te mbyllura”, ka deklaruar Bardhi.
Më tej, ai i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me tone të ashpra:
“Ne parim, mbledhjet e organeve te Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje te mbahet me dyer te mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshiheni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Rames në këtë çështje”, mësohet të jetë shprehur Gazment Bardhi.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i është përgjigjur Bardhit duke mbrojtur qëndrimin për zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura, në përputhje me kërkesën e prokurorit.
“Kërkesa është e qartë, prokurori e do me dyer të mbyllura. Jeni qesharakë, thoni duam pikën 1 dhe nuk duam pikën 2 të të njëjtës kërkesë nga prokurori. Mjerë Shqipëria për këtë opozitë”, është shprehur Balla.
Mbledhja e Këshillit të Imunitetit ka vijuar mes tensioneve, ndërsa pritet që në vijim të vendoset mbi procedurat dhe shqyrtimin e kërkesës së SPAK për rastin e zëvendëskryeministres.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



