Spiropali: Belinda Balluku nuk është xhelat, por viktimë e sistemit!
“Isha një nga dy deputetët që nuk votova me grupin e PS”
Elisa Spiropali ka komentuar përplasjet brenda Partisë Socialiste dhe çështjen e Belinda Ballukut, duke bërë një deklaratë të fortë për ish-zëvendëskryeministren. Ndonëse ka qenë kundër mbrojtjes së Ballukut përmes imunitetit parlamentar, Spiropali u shpreh se nuk e konsideron atë si shkaktaren e vetme të problematikave, por si një tjetër viktimë të modelit të pushtetit që, sipas saj, është instaluar në vend.
Në një komunikim me gazetarët, deputetja e përjashtuar nga grupi parlamentar i PS-së sqaroi se ishte një nga dy deputetët socialistë që nuk votuan në përputhje me qëndrimin e grupit për çështjen e imunitetit të Ballukut, pas kërkesës së SPAK.
Spiropali deklaroi se vendimi i saj ishte i vetëdijshëm dhe se, për këtë qëndrim, kishte marrë kritika nga brenda partisë, si dhe paralajmërimin për përjashtim nga kryeministri Edi Rama.
Ajo theksoi se kundërshtimi i saj nuk kishte të bënte me një konflikt personal me Ballukun, por me parimin se asnjë funksionar publik nuk duhet të jetë i mbrojtur nga drejtësia për shkak të pushtetit apo pozicionit që mban.
“Unë nuk votova bashkë me grupin. Shoh lloj-lloj telenovelash me një person të caktuar, por nuk mbështes modelin që u ndoq. Isha kundër që të votohej pro imunitetit. Na duhet një vend që të ketë drejtësi”, u shpreh Spiropali.
Ajo tregoi se qëndrimi i saj në Kuvend i kishte kushtuar përplasje me drejtuesit e mazhorancës, por se nuk kishte pranuar të ndryshonte bindjen e saj për shkak të pasojave politike.
“Ndërsa për votimin në Kuvend, ndoshta isha një nga dy deputetët që nuk votova me grupin në një çështje të prezantuar nga SPAK. Në atë moment mora jo vetëm kritika të brendshme, por edhe të famshmin paralajmërim për përjashtim, të cilit iu përgjigja: Më përjashto. Në atë moment gjithçka, gjykimi dhe analiza ime, më bënte të besoja se ky ishte votimi i duhur”, deklaroi ajo.
“Nuk e shoh si xhelat, por si viktimë”
E pyetur për raportin mes saj dhe Belinda Ballukut, Spiropali kundërshtoi mënyrën se si, sipas saj, po paraqitet përplasja mes dy figurave politike në publik. Ajo tha se nuk duhet të zhvendoset vëmendja nga problematika e sistemit te rivalitetet apo konfliktet mes individëve.
Në këtë kontekst, ajo përdori një formulim të fortë për Ballukun, duke e cilësuar viktimë të një modeli ku pushteti nuk njeh kufij dhe ku mungojnë mekanizmat e kontrollit.
“Ju mendoni se unë e shoh si xhelat, por e shoh si viktimë. Një person që nuk pyet për integritetin dhe nuk ka kufij në mënyrën se si ushtron legjitimitetin. Punët publike kanë mbetur rrugëve”, u shpreh Spiropali.
Më tej, deputetja argumentoi se problemi nuk lidhet vetëm me individë të caktuar, por me mënyrën se si ushtrohet dhe kontrollohet pushteti. Sipas saj, kur institucionet nuk funksionojnë si mekanizma frenues, pasojat shtrihen përtej një personi apo një çështjeje të veçantë.
“Pushteti korrupton absolutisht, pushteti absolut korrupton tërësisht dhe nuk ka përjashtime nga kjo, në asnjë vend të botës, sepse natyra njerëzore është e tillë nëse nuk ka fre, ligje dhe institucione, nëse nuk ka kufi”, deklaroi ajo.
Spiropali përdori edhe një metaforë për të shpjeguar atë që e konsideron si problem strukturor të qeverisjes, duke theksuar se përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm te individët që dalin në qendër të vëmendjes publike.
“Nuk janë kumbullat, dardhat, mollët, është bahçja që kontaminohet dhe më pas përgjegjësia. A duhet të mbajmë përgjegjësi? Patjetër, si mund të kalojë kjo pa përgjegjësi?”, tha ajo.
Spiropali kërkon përgjegjësi politike: PS nuk duhet të mohojë trashëgiminë e saj
Një tjetër mesazh i rëndësishëm i Spiropalit lidhej me përgjegjësinë që, sipas saj, duhet të marrë Partia Socialiste për situatën e krijuar. Ajo përmendi protestat dhe reagimin e qytetarëve, duke argumentuar se njerëzit janë ndier të shpërfillur nga mënyra se si është ushtruar pushteti.
Sipas deputetes, PS nuk duhet të lejojë që problematikat aktuale të fshijnë gjithçka që kjo forcë politike ka ndërtuar ndër vite, por duhet të pranojë përgjegjësitë dhe të ndërmarrë ndryshime të thella.
“Ne kemi bërë shumë punë, nuk duhet ta hedhim gjithë trashëgiminë tonë në kosh dhe nuk duhet që PS të katandiset si të tjerat. Në këtë pikë duhet ta çrrënjosim këtë model dhe t’i ofrojmë Shqipërisë diçka tjetër”, u shpreh ajo.
Spiropali ngriti gjithashtu shqetësimin për përjashtimin e socialistëve nga vendimmarrja dhe shpërndarja e pushtetit, duke theksuar se anëtarët dhe përfaqësuesit e partisë nuk duhet të thirren për të mbajtur përgjegjësi për vendime ku nuk kanë pasur asnjë rol.
Ajo rikujtoi se qëndrimet kritike i kishte shprehur edhe më herët, përpara përjashtimit nga grupi parlamentar, ndërsa shtoi se protesta e njohur si lëvizja “Flamingot” duhej të shërbente si një sinjal për nevojën e ndryshimit.
Në përfundim, Spiropali e vendosi çështjen e Ballukut në një debat më të gjerë mbi përgjegjësinë politike, funksionimin e institucioneve dhe modelin e qeverisjes. Ajo këmbënguli se nuk bëhet fjalë për një përplasje personale mes saj dhe figurave të tjera të PS-së, por për një ndarje parimore mbi mënyrën se si duhet të ushtrohet pushteti dhe raportin e politikës me drejtësinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



