A do t’i japë Rama goditjen finale Belës të enjten?
Partia Socialiste pritet të marrë një vendim të rëndësishëm këtë të enjte lidhur me kërkesën e bërë nga SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Grupi parlamentar socialist do të mblidhet më 26 shkurt, në orën 11:00, në Pallati i Brigadave, në një takim ku pritet të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Vendimi i shumicës socialiste do të jetë vendimtar për fatin e kërkesës së prokurorisë. Nëse ajo miratohet, Kuvendi mund t’i hapë rrugë arrestimit të zv/kryeministres; në të kundërt, kërkesa e prokurorëve mund të rrëzohet nga vota e deputetëve.
Një ditë më parë, përfaqësuesit e SPAK paraqitën para deputetëve argumente shtesë në mbështetje të kërkesës së tyre, duke kërkuar vendosjen e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ballukut. Sipas prokurorëve, gjatë hetimeve janë evidentuar tentativa presioni ndaj dëshmitarëve, të cilat, sipas tyre, janë bërë në emër të saj. Në këtë kontekst, ata theksuan se pozicioni i saj si zv/kryeministre dhe njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë e rëndon situatën juridike, ndërsa dënimi maksimal që mund të përballet sipas akuzave arrin deri në 35 vite burg.
Nga ana tjetër, burime brenda Partisë Socialiste kanë lënë të kuptohet se një masë si pezullimi nga detyra mund të konsiderohet e mjaftueshme për të lejuar vazhdimin e hetimeve pa ndërhyrje. Ndërkohë, opozita akuzon shumicën se po përpiqet të mbrojë numrin dy të qeverisë dhe të pengojë procesin e drejtësisë.
Në këtë situatë, vendimi përfundimtar mbetet në dorën e votës së deputetëve socialistë në seancat e ardhshme parlamentare. Pyetja që shtrohet tani është nëse Rama do të zgjedhë të distancohet politikisht nga Balluku përballë presionit të drejtësisë, apo do ta mbrojë duke mos lejuar miratimin e kërkesës së SPAK. Përgjigjja pritet të jepet të enjten, në një zhvillim që mund të ketë ndikim të ndjeshëm në klimën politike në vend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



