E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protesta në Rrjoll, banorët përfundojnë në spital, akuza të rënda ndaj policisë
Lajme

Protesta në Rrjoll, banorët përfundojnë në spital, akuza të rënda ndaj policisë

“Na tërhoqën zvarrë dhe na goditën me gurë”

Situata është tensionuar gjatë protestës së banorëve për çështjen e pronave në zonën e Rrjoll, ku dy persona kanë mbetur të lënduar pas përplasjes me efektivët e policisë dhe janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Njëri prej protestuesve, në një prononcim për mediat, tha se është tërhequr zvarrë nga policia dhe ka pësuar dëmtime në këmbë dhe në qafë. Ai pretendon se forcat e rendit kanë krijuar një kordon të fortë sigurie që nuk u lejon banorëve të afrohen pranë tokave që, sipas tyre, u përkasin familjeve prej brezash.

Sipas tij, tensionet kanë qenë të pranishme edhe një ditë më parë, kur, sipas pretendimeve të tij, djali i tij është goditur nga policët gjatë përplasjes.

“Si çdo ditë shkojmë te tokat tona, te tokat që na kanë lënë të parët, baballarët dhe gjyshërit tanë. Policia është bërë gardh dhe nuk na lejon as të shkelim me këmbë. Edhe dje djalin tim e kanë goditur, ndërsa sot më kanë tërhequr zvarrë. Unë jam dëmtuar në këmbë dhe në qafë. Por ne nuk do të dorëzohemi, do të vazhdojmë protestën derisa të dalë e drejta”, u shpreh ai.

Edhe një tjetër banor i lënduar ka deklaruar për mediat se është goditur disa herë me gur nga një efektiv policie në pjesë të ndryshme të trupit. Ai tha se protesta e tyre do të vijojë pavarësisht përplasjeve.

“Si çdo ditë edhe sot shkuam te tokat tona, por nuk na lejojnë të afrohemi. Policia është plotësisht në anën tjetër. Sapo dolëm atje filluan ofendimet dhe shtyrjet. Një polic më goditi me gur në këmbë, në shpinë dhe në gjoks. Jemi dëmtuar dy veta dhe për një moment kam qenë si në gjendje kome. Mos me shku te vendi yt, vetëm në Shqipëri e kam parë këtë”, deklaroi ai.

Banorët shprehen se protestat do të vazhdojnë deri në zgjidhjen e konfliktit për pronat, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të garantuar të drejtat e tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.