Banorët e Rrjollit po na japin leksionin e jetës mbi bandat e pushtetit të Ramës dhe “strucët” e opozitës
Në Rrjoll, këtë të shtunë, numrat ishin më të mëdhenj dhe nervi i protestuesve më i fortë. Dhjetëra banorë dolën përballë kantierit të kompanisë “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulaj, me bindjen se prona e tyre po tjetërsohet për t’i hapur rrugë një resorti privat. Eskavatorëve iu thyen xhamat, u dëmtuan kabinat e punës, ndërsa makinat e kompanisë së sigurisë “Breçani Security”, e kontraktuar për ruajtjen e kantierit, u goditën nga turma e revoltuar.
Ky nuk është më thjesht konflikt lokal. Është përplasje mes dokumentit të pronësisë së trashëguar dhe fuqisë së kapitalit të madh korruptiv të pushtetit të Ramës, përballë heshtjes së një opozite që fsheh kokën si struci. Opozita nuk ka nevojë të bëjë paradë molotovësh dhe të presë gazin lotsjellës të “Prodakimikut”.
Vendimet gjyqësore i gris policia private e Ilir Prodës me mekanizma administrativë.
Cila opozitë në botë nuk do të organizonte një protestë me qindra mijëra banorë të izoluar të Korçës, Pogradecit, Librazhdit, Prrenjasit dhe Elbasanit?
Cila opozitë normale nuk do të tundte vendimin e Apelit për familjen Malaj në Rrjoll, së cilës iu njoh zyrtarisht e drejta e pronësisë mbi 20,700 m², rreth 2.1 hektarë, në një zonë kufitare me territorin ku po ndërtohet resorti “Blue Borgo”? Ku është opozita me 50 deputetët që duhet të ishin në ballë të konfliktit mes banorëve dhe policisë private të Ilir Prodës?
Banorët janë lënë në mëshirë të fatit. Madje u desh dëmtimi i makinerive të firmës së Bashkim Ulajt që ngjarja të bëhej lajm nga një pjesë e mediave të blera. Banorët nuk kanë ndërmend të tërhiqen, sepse për ta kjo është betejë për mbijetesë, jo çështje procedurash.
Në këtë fshat të vogël, ku çdo pëllëmbë tokë ka histori familjare, djersë, kapital ekonomik dhe identitet, ata kanë përballë një oligark superpotent me akses institucional, me mbështetje nga opozita dhe qeveria e Belinda Ballukut. Rrjollasit po japin ndoshta leksionin e fundit për të drejtën e pronës përballë një bande pushteti që nuk ndalet para asgjëje.
Rrjolli po u bën nderin e jetës atyre pak qytetarëve që ende besojnë se janë në ëndërr, ndërsa janë në gjumë dhe gomarin po e shqyen ujku.
Rrjolli po bëhet nyja që zbulon pikëtakimin e Belinda Ballukut dhe Ramës me deputetë të Partisë Demokratike, madje edhe me “Doktorin”.
Banorët e Rrjollit po shtypen nga bashkimi i interesave përtej vijave partiake.
Në thelb, çështja nuk është nëse turizmi duhet të zhvillohet. Pyetja është: a mund të zhvillohet mbi pronë të vjedhur me defterë bakalli të korrupsionit? A mund të imponohet një projekt luksoz mbi një komunitet që mban në dorë vendime gjyqësore?
Nëse shteti nuk garanton zbatimin e vendimeve të tij, mesazhi është i qartë: prona është relative, ndërsa fuqia ekonomike e “Bashkimëve” të Ramës dhe Berishës është absolute.
Opozita, nëse kërkon koherencë me diskursin për shtetin e së drejtës, duhet të jetë fizikisht dhe politikisht aty ku pronarët kërkojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore.
Rrjolli nuk është thjesht një kantier. Është test për shtetin, për gjykatat, për opozitën dhe për projektet e investitorëve të “Bashkimërve” me korrupsion e ndikim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



