E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Gjykata e Durrësit lë në burg ish-drejtorin e AKU-së
Lajme

Gjykata e Durrësit lë në burg ish-drejtorin e AKU-së

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e institucionit të sigurisë ushqimore në vend, pas një incidenti të ndodhur në ambientet e këtij institucioni.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Durrësit, e cila ka pranuar kërkesën e prokurorisë për ndalimin e Elton Varaku, ish-drejtor i Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Ai dyshohet për veprat penale të shkatërrimit të pronës dhe kanosjes.

Sipas materialeve hetimore, pas vendimit për largimin nga detyra, ish-zyrtari është rikthyer në zyrat e institucionit ku kishte ushtruar funksionin drejtues. Gjatë qëndrimit në këto ambiente, ai dyshohet se ka dëmtuar disa pajisje pune, përfshirë kompjuterë dhe mjete të tjera zyre. Po ashtu, në dosjen e prokurorisë përmendet se ndaj punonjësve të pranishëm janë përdorur edhe fjalë kërcënuese.

Pas sinjalizimit të stafit, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë arrestimin e tij.

Gjatë seancës gjyqësore, ish-drejtori ka shprehur pendesë për situatën e krijuar dhe ka kërkuar falje për veprimet e tij. Nga ana tjetër, mbrojtja ligjore ka argumentuar se ngjarja duhet parë si një reagim emocional i momentit dhe jo si një veprim i paramenduar.

Ish-zyrtari, me origjinë nga Shijaku, ka mbajtur disa poste drejtuese në qarkun e Durrësit gjatë viteve të fundit. Ndërkohë, organet hetimore vijojnë punën për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë që lidhen me incidentin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.