Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të një procedure hetimore që lidhet me një kallëzim penal ndaj tij.
Burime bëjnë me dije se ndaj Mziut është depozituar një padi në qershor të vitit të kaluar nga deputeti i Partisë Socialiste në Dibër, Agron Malaj. Kallëzimi lidhet me akuzën për veprën penale të “shpifjes”, për të cilën prokurorët e posaçëm po kryejnë verifikimet përkatëse.
Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që deputeti demokrat merret në pyetje nga SPAK. Në vitin 2024, ai është thirrur nga prokurorët edhe në lidhje me një çështje tjetër që ka të bëjë me procedurat e tenderave gjatë periudhës kur drejtonte Bashkinë e Kamëz.
Hetimet për këtë rast janë ende në vijim dhe pritet që organi i akuzës të përcaktojë hapat e mëtejshëm pas shqyrtimit të të gjitha rrethanave dhe dokumentacionit përkatës.







