Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim të ri që synon të lehtësojë barrën financiare të bizneseve pas rritjes së pagës minimale në vend. Vendimi përcakton rregullat, kriteret dhe masën e kompensimit për kontributet e sigurimeve që paguajnë punëdhënësit, në rastet kur rritja e pagës minimale krijon kosto shtesë për subjektet private.
Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kompensimi financiar do të jepet çdo muaj për periudhën kontributive nga janari deri në shtator të vitit 2026. Masa synon të mbulojë një pjesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguan punëdhënësi për punonjësit e prekur nga ndryshimi i pagës minimale.
Skema e kompensimit do të zbatohet për subjektet që operojnë në të gjithë sektorët ekonomikë dhe që plotësojnë disa kritere të përcaktuara. Përfitimi do të llogaritet mbi bazën e numrit të punonjësve që në shtator të vitit 2025 kanë pasur pagë bruto nga 40 mijë deri në 49,999 lekë dhe që preken drejtpërdrejt nga rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë.
Pagesa do të përfshijë kontributet e sigurimeve në masën 16.7% që paguan punëdhënësi, të llogaritura mbi diferencën midis pagës së mëparshme dhe pagës së re minimale. Kjo mbështetje financiare do të shpërndahet nga drejtoritë rajonale të Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, sipas vendndodhjes ku subjektet zhvillojnë aktivitetin kryesor.
Bizneset që dëshirojnë të përfitojnë nga kjo skemë duhet të aplikojnë në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania, duke filluar nga data 1 prill deri më 31 tetor 2026.
Ndërkohë, vendimi përcakton edhe disa kushte për përfitimin e kompensimit. Subjektet nuk duhet të jenë në pronësi shtetërore apo institucione publike, nuk duhet të kenë detyrime të papaguara për kontributet e sigurimeve dhe duhet të kenë të paktën një punonjës të regjistruar në listëpagesë.
Efekti financiar i kësaj skeme, për periudhën janar–shtator 2026, do të përballohet nga buxheti i shtetit në kuadër të programit “Tregu i punës”, të administruar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Vendimi hyn në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe zbatimi i tij do të ndiqet nga institucionet përgjegjëse shtetërore.
Kryeministri Edi Rama ka firmosur vendimin që synon të mbështesë bizneset dhe të zbusë ndikimin financiar të rritjes së pagës minimale në tregun e punës.
V E N D I M PËR PЁRCAKTIMIN E RREGULLAVE, KRITEREVE DHE MASЁS PËR KOMPENSIMIN E KONTRIBUTEVE TË PUNËDHËNËSIT PËR KOSTON SHTESË, QË KRIJOHET SI REZULTAT I RRITJES SË PAGËS MINIMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 11, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënie kompensimi financiar çdo muaj, për periudhën kontributive janar–shtator 2026, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit për subjektet që preken nga rritja e pagës minimale.
2. Subjektet përfituese të kompensimit financiar duhet të ushtrojnë aktivitet në të gjithë sektorët ekonomikë të nomenklaturës së veprimtarive ekonomike dhe të plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi.
3. Kompensimi financiar llogaritet dhe jepet bazuar në numrin maksimal të të punësuarve me fashën e pagës bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë, që figurojnë në listëpagesën e deklaruar në organet tatimore për muajin shtator 2025, për përditësimin më të fundit të bërë gjatë vitit 2025.
4. Kompensimi financiar për subjektet jepet çdo muaj, për periudhën kontributive janar–shtator 2026, nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (DRAKPA), ku kanë adresën e vendit, në të cilin zhvillohet pjesa kryesore e veprimtarisë tregtare.
5. Subjektet me të drejtë aplikimi duhet të plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:
a) Të mos kenë një punonjës në total të regjistruar në listëpagesë;
b) Të mos jenë subjekte në pronësi shtetërore apo ente publike;
c) Të mos jenë subjekte të regjistruara në statusin e sigurimeve si:
i. i vetëpunësuar (i vetëm);
ii. i vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes;
iii. i vetëpunësuar pa punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes.
ç) Të mos kenë detyrime (principal) ndaj organeve tatimore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.
6. Subjektet aplikojnë në mënyrë elektronike nëpërmjet portalit “e-Albania” për periudhën që kërkojnë kompensim, duke filluar nga data 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026.
7. Kompensimi financiar jepet në masën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit, 16.7%, llogaritur mbi diferencën e pagës së çdo punonjësi me pagë bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë në shtator 2025, me pagën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
8. Për subjektet, të cilat në muajin që kërkojnë kompensim kanë reduktuar numrin e punonjësve totalë në më pak se numri i punonjësve me pagë bruto, nga 40 000 (dyzet mijë) lekë deri në 49 999 (dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë) lekë në shtator 2025, kompensimi financiar jepet mbi shumën mesatare të fondit që do të përfitonte për punonjës, në rast mosreduktimi të numrit të punonjësve, sipas pikës 1, të këtij kreu, shumëzuar me numrin aktual të punonjësve në total.
9. Verifikimi i aplikimit kryhet nëpërmjet ndërveprimit elektronik të sistemeve dhe shpërndarja për përfituesit e këtij vendimi bëhet nga drejtoritë rajonale të AKPA-s.
10. Për kryerjen e kompensimit financiar, DRAKPA-ja urdhëron pagesën çdo muaj pranë strukturës së thesarit në degë, brenda 10-ditëshit të parë të muajit, për të gjitha kërkesat e muajit paraardhës. Kryhen aq urdhërpagesa sa janë bankat e nivelit të dytë (BND), me të cilat operojnë subjektet përfituese të kompensimit financiar. Pagesa urdhërohet në llogarinë tranzitore të pagave në BND për shumën totale të subjekteve përfituese në atë bankë dhe paralelisht DRAKPA-ja dërgon në BND listën e subjekteve përfituesve në bankën përkatëse me të dhënat e llogarisë bankare dhe shumën e kompensimit për çdo subjekt.
11. Efekti financiar për periudhën janar – shtator 2026 përballohet nga buxheti i shtetit, miratuar për vitin 2026, në programin “Tregu i punës”, për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.
12. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA







