“Porto Romano”, Rama sfidon kryetarin e Dhomës Amerikane e Tregtisë
“Kush po e pengon projektin, i ka bërë llogaritë gabim”
Kryeministri Edi Rama ka komentuar projektet madhore infrastrukturore të qeverisë gjatë një mbledhjeje me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, duke u ndalur veçanërisht tek projekti i portit të ri në Porto Romano në Durrës.
Gjatë fjalës së tij, Rama reagoi ndaj kritikave dhe kërkesave për rishikim të tenderit për këtë projekt, duke lënë të kuptohet se ekzistojnë aktorë që po përpiqen ta pengojnë realizimin e tij. Ai theksoi se qeveria është e vendosur ta çojë përpara këtë investim strategjik, duke shtuar se për çdo çështje tjetër mund të ketë alternativa, por jo për integrimin evropian të vendit.
Sipas kreut të qeverisë, projekti i Porto Romanos është ndër proceset më komplekse që administrata shqiptare ka ndërmarrë deri më tani. Ai e cilësoi atë një plan strategjik të rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës dhe për rritjen e rolit të Shqipërisë në rrjetet rajonale të transportit dhe logjistikës.
Rama nënvizoi se procesi ka qenë i ndërtuar mbi standarde të avancuara dhe ka përfshirë ekspertizë ndërkombëtare të nivelit të lartë. Sipas tij, projekti është hartuar nga një nga studiot më prestigjioze në botë për planifikimin e infrastrukturës dhe është ndjekur nga një proces konkurrues ku kanë marrë pjesë kompani nga vende të ndryshme. Mbikëqyrja teknike e projektit, shtoi ai, është kryer nga kompania konsulente ndërkombëtare Royal HaskoningDHV.
Në të njëjtën kohë, kryeministri theksoi se kundërshtimet ndaj projektit nuk janë të papritura. Sipas tij, projekte të kësaj natyre shpesh shoqërohen me rivalitet dhe rezerva, veçanërisht në rajone ku zhvillimi ekonomik dhe konkurrenca për investime është në rritje. Megjithatë, Rama u shpreh i bindur se përpjekjet për ta penguar projektin nuk do të kenë sukses.
Debati për projektin është rindezur edhe pas një reagimi publik nga kreu i Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleeve. Në një letër të hapur drejtuar kryeministrit dhe disa zyrtarëve të lartë të qeverisë, ai kërkoi shtyrjen e tenderit për portin e Porto Romanos me qëllim rishikimin e parametrave të projektit.
Në argumentimin e tij, Van Cleeve e konsideron portin një vendim strategjik për të ardhmen ekonomike të vendit dhe paralajmëron se përmasat aktuale të projektit mund të jenë të pamjaftueshme për të shfrytëzuar plotësisht potencialin gjeografik dhe ekonomik të Shqipërisë në rajon.
Sipas tij, nëse porti ndërtohet sipas planit aktual, ekziston rreziku që vendi të humbasë një mundësi të rëndësishme për t’u shndërruar në një nyje të madhe logjistike në Ballkan, një rol që mund të rrisë ndjeshëm ndikimin ekonomik dhe tregtar të Shqipërisë në rajon.
Megjithatë, qeveria mbetet e vendosur të vazhdojë me projektin, duke e konsideruar portin e ri një investim kyç për modernizimin e infrastrukturës portuale dhe për forcimin e pozicionit të vendit në korridoret ndërkombëtare të transportit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



