Vendimi për Ballukun, Holanda paralajmëron: Pa drejtësi s’ka BE!
Vendimi i Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku ka sjellë reagime edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Pas qëndrimeve të ambasadave të tjera perëndimore, reagoi edhe Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, e cila përmes një deklarate publike theksoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit në procesin e integrimit europian të vendit.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, ambasada nënvizon se Holanda mbështet rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky proces duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen e standardeve të kërkuara.
Sipas deklaratës, një ndër kushtet themelore për përparimin në integrimin europian mbetet ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe rastet që përfshijnë zyrtarë të niveleve më të larta.
“Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Reagimi i diplomacisë holandeze vjen pas vendimit të parlamentit shqiptar për të mos autorizuar arrestimin e Ballukut, një zhvillim që ka nxitur debate të forta politike në vend dhe komente nga partnerët ndërkombëtarë lidhur me rëndësinë e pavarësisë së drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit në nivele të larta.
Reagimi i ambasadës së Holandës në Shqipëri:
Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit të Shqipërisë në lidhje me heqjen e imunitetit, Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri deklaron: Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në përputhje me dëshirat e popullit shqiptar.
Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta.
Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë do të jetë në gjendje të vazhdojë shpejt dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për sigurimin e këtij procesi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



