Emërimi i Joni Ketës në krye të BKH-së kundërshtohet në gjykatë
Në Gjykata e Apelit Administrativ u shqyrtua kërkesa e zyrtarit të Policisë, Gentian Ndoi, i cili kundërshton mënyrën e emërimit të Joni Ketës në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Seanca u zhvillua nën drejtimin e gjyqtares Altina Nasufi, ndërsa Ndoi kërkon shfuqizimin e vendimit nr. 370, datë 19.12.2025, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërimin e drejtuesit të BKH.
Sipas padisë, vendimi konsiderohet i paligjshëm, i paarsyetuar dhe në kundërshtim me ligjin material dhe procedural. Ndoi kërkon gjithashtu shfuqizimin e raportit të Komisionit të Përzgjedhjes, mbi bazën e të cilit u rekomandua kandidatura e Ketës.
Paditësi kërkon që gjykata të detyrojë Komisionin e Përzgjedhjes pranë SPAK, i përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra, të përcjellë për emërim kandidatin me më shumë pikë – vetë Ndojn.
Ai kërkon gjithashtu që KLP ta emërojë në krye të BKH dhe që institucioni t’i njohë pagën e drejtuesit që nga muaji dhjetor.
Nga ana tjetër, palët e paditura argumentojnë se përzgjedhja e kandidatit është diskrecion i SPAK, ndërsa vendimmarrja finale i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet në fillim të muajit prill.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



