Tentuan të trafikonin emigrantë, arrestohen dy persona në Gjirokastër
Policia e Gjirokastrës ka goditur një tjetër rast të aktivitetit të paligjshëm që lidhet me trafikimin e emigrantëve nga vendet e treta. Në kuadër të operacionit të koduar “Masa”, janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, të cilët dyshohet se transportonin emigrantë kundrejt përfitimit financiar.
Sipas burimeve zyrtare, dy të arrestuarit, me inicialet A. O. dhe A. M., janë kapur në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, ndërsa lëviznin me dy automjete që dyshohet se përdoreshin për këtë aktivitet të paligjshëm. Gjatë kontrollit të ushtruar nga uniformat blu, në mjetet e tyre janë gjetur dhe sekuestruar pajisje të dyshimta, përfshirë radio marrëse të ngjashme me ato të Policisë, një palë targa si dhe katër telefona celularë.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se të dy shtetasit ndodheshin nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të cilën e kishin shkelur për të vijuar aktivitetin kriminal. Dyshohet se ata ishin pjesë e një skeme të organizuar për transportimin e emigrantëve të paligjshëm, të cilët synonin të kalonin kufirin në mënyrë të jashtëligjshme.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me strukturat operacionale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Ndërkohë, materialet i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie.
Autoritetet vijojnë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



