Del fotoja e viktimës që humbi jetën nga shpërthimi në Gjirokastër
Është publikuar fotografia e Beqir Devollit, 48-vjeçarit që humbi jetën pas shpërthimit të fuqishëm me lëndë plasëse në automjetin e tij në Gjirokastër. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e kaluar në bulevardin “18 Shtatori”, ndërsa viktima ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit, gjatë transportimit me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Devolli, i cili sipas raportimeve sapo ishte kthyer nga Tirana, ndodhej në drejtimin e një automjeti tip “Mercedes-Benz” kur mjeti shpërtheu në lëvizje. Për shkak të plagëve të rënda të marra nga shpërthimi, ai nuk arriti të mbijetonte gjatë rrugës drejt kryeqytetit.
Sipas të dhënave të bëra publike, 48-vjeçari dyshohet se mund të ketë qenë objektivi i atentatit. Megjithatë, pista mbetet për t’u verifikuar nga grupi hetimor, pasi në fazat e para të hetimeve dyshimet ishin përqendruar edhe te pasagjeri i automjetit, Rigers Mela, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi në bulevardin “18 Shtatori”
Ngjarja u regjistrua rreth orës 22:00, kur automjeti tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të Devollit, shpërtheu teksa ishte në lëvizje. Pas shpërthimit, drejtuesi humbi kontrollin mbi mjetin, i cili u përplas me trafikndarësen dhe pësoi dëmtime të rënda.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e policisë rrethuan zonën, ndërsa grupi hetimor nisi punën për mbledhjen e provave dhe sqarimin e rrethanave në të cilat ndodhi shpërthimi.
Në njoftimin paraprak, policia bëri të ditur:
“Rreth orës 22:00, në bulevardin ‘18 Shtatori’, dyshohet se ka shpërthyer automjeti tip ‘Benz’, në pronësi të shtetasit B. D., i cili ishte në lëvizje. Si pasojë e shpërthimit, kanë mbetur të dëmtuar shtetasit B. D. dhe R. M., të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e saktë të shkakut të shpërthimit”.
Më vonë u konfirmua se drejtuesi i automjetit nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, ndërsa pasagjeri vijon të marrë trajtim mjekësor.
Dyshimet për atentatin dhe automjeti i djegur një vit më parë
Një nga elementet që po shqyrtohen në kuadër të hetimeve lidhet me një ngjarje të ndodhur rreth një vit më parë, kur Rigers Melës i ishte djegur një automjet tip “Range Rover” në lagjen Dunavat të Gjirokastrës.
Ky episod po rikthehet në vëmendje pas shpërthimit të fundit, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse ekziston ndonjë lidhje mes dy ngjarjeve. Po ashtu, hetuesit duhet të sqarojnë nëse shënjestra e mundshme ishte Beqir Devolli apo pasagjeri që udhëtonte me të.
Deri tani, motivet e shpërthimit dhe identiteti i personave përgjegjës nuk janë bërë të ditura zyrtarisht. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



