Zbulohet emri i kandidatit kryesor për drejtimin e Policisë së Shtetit
Gara për drejtimin e Policisë së Shtetit ka hyrë në një fazë vendimtare, ku emrat kryesorë janë tashmë në tryezën e vendimmarrjes politike. Në krye të listës së kandidatëve renditet Tonin Vocaj, i cili ka siguruar vlerësimin më të lartë gjatë procesit të përzgjedhjes.
Pas tij, në renditje vijnë Lorenc Panganika dhe Skënder Hitaj, duke plotësuar treshen kryesuese që do t’i nënshtrohet filtrit final për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit.
Vocaj sjell me vete një eksperiencë të gjatë, rreth 35 vite në radhët e policisë, ku ka mbajtur një sërë funksionesh të rëndësishme. Ai konsiderohet një profil i qëndrueshëm profesionalisht, me reputacion për korrektësi dhe vendimmarrje të prerë në detyrat që ka ushtruar ndër vite.
Burime nga procesi bëjnë me dije se lista me tre kandidatët më të vlerësuar i është përcjellë ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili më pas ia ka dorëzuar për shqyrtim kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit pritet të japë verdiktin përfundimtar mbi emrin që do të marrë drejtimin e institucionit më të lartë të rendit në vend.
Vendimi për kreun e ri të Policisë së Shtetit pritet të merret brenda pak ditësh, ndërsa gara ka qenë e gjerë dhe konkurruese, me një total prej 14 kandidatësh.
Në këtë proces kanë marrë pjesë: Afrim Tafa, Alfred Çepe, Arjanit Arap, Elidon Çela, Gentian Berberi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, Skënder Hitaj dhe Tonin Vocaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



