E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
PD kërkon kthimin e rajoneve: Bashkitë e reja sipas numrit të popullsisë
Lajme

PD kërkon kthimin e rajoneve: Bashkitë e reja sipas numrit të popullsisë

Sali Berisha ka paraqitur një paketë propozimesh për Reformën Territoriale në Shqipëri, duke theksuar nevojën për riorganizim të thellë administrativ në funksion të zhvillimit dhe shërbimeve ndaj qytetarëve.

Gjatë një mbledhjeje të hapur të PD, ai deklaroi se një nga shtyllat kryesore të kësaj reforme duhet të jetë rikthimi i komunave në zonat ku numri i banorëve kalon 1300, veçanërisht në zonat kodrinore dhe malore, për të shmangur braktisjen dhe përjashtimin e tyre nga zhvillimi.

Sipas tij, modeli europian ofron shembuj konkretë, duke përmendur Francën, e cila ka rreth 36 mijë komuna, përfshirë edhe njësi me popullsi të vogël, por që kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin bujqësor dhe ekonomik.

Berisha theksoi gjithashtu domosdoshmërinë e krijimit të bashkive të reja mbi bazë demografike, sidomos në zonat urbane dhe periferitë e qyteteve të mëdha. Ai solli si shembull Kamzën, duke kujtuar se sipas censusit të vitit 2011 renditet ndër qytetet më të mëdha në vend dhe meriton një përfaqësim më të strukturuar administrativ.

Një tjetër rast i përmendur ishte Sukthi, për të cilin ai tha se ka një popullsi të konsiderueshme, por aktualisht nuk ka statusin administrativ që i takon, duke e krahasuar me Shijakun.

Në thelb të propozimit qëndron ndërtimi i një harte të re territoriale mbi baza shkencore dhe demografike, me dy objektiva kryesorë: përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Një element tjetër i rëndësishëm është krijimi i rajoneve funksionale, të afta për t’iu përgjigjur standardeve të ashtuquajturës “Europa e rajoneve”. Sipas Berishës, këto rajone duhet të kenë kapacitete të plota administrative dhe zhvillimore.

Ai sqaroi se aktualisht janë vetëm në fazën e përcaktimit të parimeve dhe se drafti përfundimtar do të vijë pas një debati të gjerë publik në nivel kombëtar, ku do të përfshihen qytetarë dhe ekspertë nga i gjithë territori i vendit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.