Integrimi në BE, Rama heq dorë nga ‘halucinacionet’: Mund të mos ndodhë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim bashkëbisedues me të rinjtë, ku në fokus ishte rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe sfidat që shoqërojnë këtë proces. Në fjalën e tij, ai theksoi se momenti aktual paraqet një mundësi reale për vendin, duke e lidhur ecurinë e integrimit jo vetëm me përmbushjen e detyrimeve nga Shqipëria, por edhe me vullnetin e vendeve anëtare.

Sipas Ramës, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në përmbushjen e standardeve, por vendimmarrja finale mbetet në dorën e aktorëve më të fuqishëm brenda BE-së. Ai e përshkroi situatën si një kombinim mes përpjekjeve të brendshme dhe rrethanave ndërkombëtare që duhet të përputhen.

“Po na buzëqesh fati se janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë rresht në mbështetje të kësaj ëndrre që ka qenë shekullore. Kemi bërë një punë të madhe, e them me plotë gojë, për ta ndryshuar. Shqiptarët që janë jashtë ose ikin jashtë, sapo tregonin pasaportën, diçka nuk shkonte me policin në kufi. Por ne kemi ndryshuar disa gjëra. Ti mund t’i bësh detyrat e tua të shtëpisë, por nëse vendet e mëdha, që vendosin fatet e të vegjëlve, s’e kanë në plan të të marrin në një nivel tjetër, ti se kapërcen dot. Sot jemi në kushtet kur vendet e BE duan të na marrin me vete. Siç thoshin dikur ata që udhëhiqnin dikur ku flisnin për horizontin e kuq, dhe këta mund të thonë; po ju pret horizonti blu. Por nuk është me fjalë, është me punë. Ne kemi qenë të zotë, por nga ana tjetër kemi pasur një palë që ka qenë e interesuar aq sa ne. Nëse pedagogu të sheh me paragjykim, apo i dhemb koka, dhimbja e kokës së tij mund të reflektohet te nota jote. Te vendet e mëdha, kjo është shumë e zakonshme. Nuk ka dalë ajo fjala kot që vendet e mëdha, bëjnë çfarë duan, vendet e vogla heqin çfarë duhet!”, tha ai.

Në thelb të mesazhit të tij ishte ideja se Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet pa u ndalur, ndërkohë që duhet të shfrytëzojë këtë moment të favorshëm politik në arenën europiane. Ai përdori edhe krahasime për të ilustruar mënyrën se si faktorë të jashtëm mund të ndikojnë drejtpërdrejt në fatin e vendeve të vogla.

Nga ana tjetër, procesi i integrimit vijon të shoqërohet me debate dhe kritika në planin e brendshëm politik, përfshirë edhe çështje të diskutueshme si rasti i njohur publikisht si “Balluku”, që ka sjellë reagime dhe përplasje në opinionin publik.

Publikuar nga Publik Media