E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Përplasje Manja-Strazimiri për ligjin kundër pastrimit të parave
Lajme

Përplasje Manja-Strazimiri për ligjin kundër pastrimit të parave

Strazimiri kërkoi më shumë kohë për shqyrtimin, ndërsa Manja këmbënguli për vijimin e procedurës në funksion të integrimit europian.

Projektligji “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” është shoqëruar me replika mes kryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Ulsi Manja, dhe deputetit Gent Strazimiri, gjatë shqyrtimit të nismës parlamentare.

Debati u përqendrua te koha në dispozicion për shqyrtimin e projektligjit dhe nevoja, sipas Manjës, për të respektuar afatet që lidhen me procesin e integrimit europian. Nga ana tjetër, Strazimiri kundërshtoi ritmin e shqyrtimit, duke kërkuar që deputetëve t’u lihej më shumë kohë për të analizuar përmbajtjen e nismës.

Manja argumentoi se Komisioni për Çështjet Ligjore ka rol në vlerësimin e përputhshmërisë së projektligjit me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor, ndërsa Komisioni i Ekonomisë është komisioni përgjegjës për shqyrtimin e mëtejshëm të tij.

Gjatë replikave, Manja iu referua edhe detyrimeve që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis-in e Bashkimit Europian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave.

Debati i plotë në Komision

Ulsi Manja:
“Zhvillimi i Komisioneve bëhet duke vënë në dijeni Kryetarin e Kuvendit, sepse për ne është e pamundur të përmbushim kalendarin nëse nuk mblidhemi gjatë kësaj jave. Jemi komision për dhënie vendimi. E shohim nga pikëpamja e përputhjes së këtij projektligji me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi.

Ndërsa komision përgjegjës është caktuar Komisioni i Ekonomisë. Sot do të duhet të shprehemi ne si Komision, që t’i jepet mundësia Komisionit të Ekonomisë që ta shqyrtojë si projektligj.

Meqë z. Strazimiri dhe unë jemi të anëtarësimit në BE-së me ritme të shpejta, në faqen 6 të relacionit thotë: ‘Projektligji synon përafrim të plotë me acquis-in e BE-së në fushën e parandalimit të pastrimit të parave’.

Sa më shpejt ta miratojmë këtë ligj, aq më shpejt mbyllen portat. Ne, sa herë kemi të bëjmë me projektligje të plota, ne nuk i prekim dot. Nuk ndërhyjmë dot në përmbajtje, se prishet ekuilibri.”

Gent Strazimiri:
“Jeni që jeni, keni Ulsiun me këtë mendje, futini këtu te ky ligji dhe një listë pagash, siç e kanë bërë në Kushtetutë për prokurorët dhe gjykatësit, se ju a kalon Ulsi sot. Vendoseni sa të doni shifrën.

Pastaj, pas 190 vitesh, do të merremi me vendim gjykate se a duhet t’i keni këto paga apo jo.

Nëse herën e parë ishe i papërgatitur, ky nuk është një ligj që nuk ke nevojë ta futësh në fuqi nesër. Hyn në 2028-ën. Nëse qëllimi është i sinqertë, të thashë ta shohim me më përpikëri pas një muaji.”

Ulsi Manja:
“Kemi dy vite kohë për ta parë.”

Gent Strazimiri:
“Ke dy vite kohë, more Ulsi, por po e kalon për 20 minuta.”

Ulsi Manja:
“Unë kam hallin si do e thotë Kryetari i Kuvendit në seancë, se unë vetë e kaloj.”

Gent Strazimiri:
“Ai është hall tjetër. Kjo e sotmja, duke bërë këtë punë sot për 20 minuta, as ti vetë nuk e di çfarë dëmi po kalojmë këtu.”

Ulsi Manja:
“Z. Strazimiri, të lutem, vazhdojmë me rendin e ditës, mos e pengo integrimin.”

Përplasja mes dy deputetëve u zhvillua në kuadër të shqyrtimit procedural të projektligjit, ndërsa në qendër të diskutimit mbeti afati dhe mënyra se si duhet të trajtohet nisma përpara se të vijojë shqyrtimin në komisionin përgjegjës.

Projektligji lidhet me kuadrin ligjor shqiptar për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe, sipas relacionit të cituar gjatë mbledhjes, synon përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Europian në këtë fushë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.