Tenderi për ndërtimin e Portit të Ri tregtar në Porto Romano është anuluar zyrtarisht, duke shënuar një tjetër dështim për një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend.
Njoftimi është publikuar në buletinin e Agjencia e Prokurimit Publik, ku konfirmohet se procedura është mbyllur pa rezultat.

Sipas të dhënave, anulimi erdhi pasi kompania e vetme e mbetur në garë, Archirodon Group, nuk paraqiti ofertë financiare në fazën përfundimtare. Projekti, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 393 milionë euro pa TVSH, ka dështuar disa herë radhazi për të gjetur një realizues.
Në garën e hapur në dhjetor 2024 morën pjesë pesë konsorciume, por vetëm një arriti të kalojë në fazën finale për ofertë teknike dhe ekonomike.
Procesi ka qenë i shoqëruar edhe me zhvillime hetimore. Një nga kompanitë pjesëmarrëse ka bërë kallëzim pranë Prokurorinë e Posaçme, ndërsa pak javë më parë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontrolle në zyrat e Autoritetit Portual Durrës, duke sekuestruar dokumentacionin që lidhet me këtë tender.
Anulimi i radhës ngre pikëpyetje të forta mbi ecurinë e projektit strategjik të Porto Romanos, i cili synon të shndërrohet në një port të ri tregtar për vendin, por që deri më tani është përballur me pengesa të njëpasnjëshme.







