Elona Selmani hedh dyshime të forta: pretendon se Sibela Abedini nuk u vetëhodh, por u shty, ndërsa zbulon edhe një raport të dyshuar mes Çokut dhe nënës së saj
Gjykata ka dhënë vendimin për Altin Çokun, duke e dënuar me 6 vite burg për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes së Sibela Abedinit, e cila humbi jetën pasi ra nga kati i katërt i një ndërtese.
Ngjarja e rëndë, e ndodhur në vitin 2024, tronditi opinionin publik, pasi dyshohet se ishte pikërisht Çoku ai që publikoi një foto intime të së resë, çka mund të ketë ndikuar në gjendjen e saj psikologjike.
Ndërkohë, familjarët e viktimës vijojnë të hedhin dyshime mbi rrethanat e vdekjes. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin Shqipëria Live, tezja e së ndjerës, Elona Selmani, ka bërë deklarata të forta.
Sipas saj, 27-vjeçarja nuk është hedhur vetë, por është shtyrë gjatë një debati në tarracë. Ajo u shpreh e gatshme të dëshmojë në gjykatë, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi prova të rëndësishme, si telefoni i viktimës. “Ka rënë bashkë me telefonin, por si shpjegohet që ai është gjetur në tarracë?”, u shpreh ajo.
Selmani shtoi gjithashtu një tjetër element që, sipas saj, ndryshon rrjedhën e ngjarjes, duke pretenduar se Altin Çoku kishte një marrëdhënie me nënën e viktimës dhe jo me vetë Sibelën.
Çështja pritet të vijojë të mbetet në qendër të vëmendjes, ndërsa deklaratat e familjarëve mund të sjellin zhvillime të reja në procesin gjyqësor.







