Të shtëna me armë në Suedi, vdes 20-vjeçari shqiptar

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Helsingborg, ku një 20-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri.

Sipas mediave në Suedi, alarmi është dhënë pak para mesnatës, ndërsa forca të shumta policie kanë rrethuar menjëherë zonën. Hetimet kanë vijuar gjatë gjithë natës, por deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar apo të dyshuar në lidhje me atentatin.

Nga të shtënat ka mbetur e plagosur edhe një vajzë rreth 25 vjeç, e cila ndodhej në shoqërinë e të riut në momentin e sulmit. Ajo është transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime paraprake bëjnë me dije se viktima, i identifikuar si M.Ll., 20 vjeç, me origjinë nga Fier, jetonte prej vitesh në Suedi së bashku me familjen. Gjithashtu, dyshohet se ai mund të ketë pasur lidhje me rrjete të trafikut të lëndëve narkotike në zonën e Helsingborgut dhe rajonin Skåne, megjithatë këto mbeten në nivel verifikimi nga autoritetet.

Policia suedeze po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Publikuar nga Publik Media