Emra, përgjime dhe lidhje ndërkombëtare
Një nga goditjet më të forta ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës është finalizuar nga autoritetet italiane, duke zbardhur në detaje funksionimin e një organizate të strukturuar kriminale me bazë kryesisht shqiptare. Operacioni “Daku”, i udhëhequr nga antimafia e Trentos dhe policia në Bolzano, ka nxjerrë në dritë një rrjet të gjerë që vepronte prej vitesh në Europë.
Sipas dokumenteve zyrtare të Gjykatës së Trentos (Sezione GIP-GUP), organizata përbëhej nga një numër i madh anëtarësh dhe bashkëpunëtorësh, të cilët operonin në mënyrë të koordinuar për trafikimin e kokainës. Në listë përfshihen emra si Marvin Cifliku (i konsideruar si ndër më të rëndësishmit, aktualisht në burg në Torino, i arrestuar me 10 kg kokainë).
Lista vijon më tej me emra si, Demoktrat Cufallari (“Kati”), Adrian Dervishi (“Adi”), David Drenova, Jurgen Fishti, Adem dhe Dardan Gashi, Ervin Gjoka, Daniel Gusho, Romario Kociu, Griselda Lika dhe shumë të tjerë.
STRUKTURA DHE FUNKSIONIMI I GRUPIT
Dokumentet hetimore zbulojnë se bëhet fjalë për një organizatë të mirëfilltë kriminale, e ndërtuar mbi një strukturë të qëndrueshme dhe me ndarje të qartë rolesh. Anëtarët bashkëpunonin në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim kryerjen e një numri të papërcaktuar veprash penale që lidhen me blerjen, transportin dhe shitjen e kokainës.
Grupi siguronte sasi të mëdha lënde narkotike, kryesisht nga Amerika Latine, dhe e shpërndante në Itali dhe më gjerë në Europë. Droga fshihej në mënyra të sofistikuara dhe ruhej në depo të posaçme në zonën e Bolzanos, përpara se të shpërndahej në treg.
KOMUNIKIMET E KODUARA DHE METODAT
Një nga elementët më të fortë të dosjes është mënyra e komunikimit. Anëtarët përdornin platforma si WhatsApp, Signal, Facebook dhe shërbime VoIP për të shmangur përgjimet. Komunikimet shpesh bëheshin përmes numrave të rremë ose të regjistruar në emra fiktivë, të cilët zëvendësoheshin rregullisht.
Po ashtu, përdornin automjete të modifikuara për fshehjen dhe transportin e drogës, si dhe ambiente të dedikuara për magazinim, përpunim, paketim dhe shpërndarje të saj. Organizata kishte edhe një sistem të mirëorganizuar për menaxhimin e fitimeve, që përfshinte lëvizjen dhe fshehjen e shumave të mëdha parash.
ORGANIZATË E ARMATOSUR DHE ME RREZIKSHMËRI TË LARTË
Një detaj kyç i evidentuar në dokumentet zyrtare është se kjo organizatë konsiderohet e armatosur. Anëtarët përdornin armë për të garantuar aktivitetin kriminal, për të ushtruar kontroll mbi rrjetin dhe për të mbledhur borxhet.
Sipas referencave ligjore në dosje (neni 74 i DPR 309/90), organizata përbënte një bashkim kriminal të qëndrueshëm, me më shumë se 10 anëtarë aktivë, çka përbën rrethanë rënduese sipas ligjit italian.
SHIFRAT DHE PËRMASAT E OPERACIONIT
Operacioni ka çuar në dhjetëra masa sigurie dhe arrestime në disa qytete kyçe si Bolzano, Trento, Milano dhe zona të tjera. Hetimet kanë dokumentuar mbi 150 episode të trafikut të drogës dhe kanë zbuluar një rrjet të shtrirë në disa shtete europiane.
Gjatë operacionit janë sekuestruar dhjetëra kilogramë drogë, shuma të konsiderueshme parash, automjete dhe prova të tjera që implikojnë drejtpërdrejt anëtarët e grupit.
EMRA DHE LIDHJE NDËRKOMBËTARE
Në dosje dalin gjithashtu edhe lidhje me shtetas të huaj, përfshirë individë nga Italia dhe Maroku, duke treguar qartë karakterin ndërkombëtar të organizatës. Kjo e bën këtë çështje një nga më të rëndësishmet në luftën kundër trafikut të kokainës në Europë.
Autoritetet italiane theksojnë se hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera, ndërsa të gjithë personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.











