Tensionet në studio degradojnë në shkëmbim replikash të ashpra mes analistit dhe moderatores
Një moment i tensionuar është regjistruar gjatë emisionit “Top Story”, ku analisti Alfred Lela është larguar nga studio pas një përplasjeje të drejtpërdrejtë me moderatoren Grida Duma.
Debati nisi pas një komenti të Lelës, i cili u interpretua si provokues nga moderatorja. Situata u përshkallëzua shpejt, duke kaluar nga diskutimi në replika personale dhe tone të ashpra.
Në kulmin e debatit, Duma i kërkoi hapur Lelës të largohej nga studio, duke e konsideruar sjelljen e tij të papranueshme për standardet e emisionit. Nga ana tjetër, Lela reagoi me kundërpërgjigje të forta, çka e tensionoi edhe më tej atmosferën.
Shkëmbimi i replikave mes tyre u karakterizua nga gjuhë e drejtpërdrejtë dhe akuza reciproke, duke e bërë situatën të papajtueshme për vazhdimin normal të diskutimit në studio.

Pjesë nga debati:
Alfred Lela: Diskutimi për IPARD-in është shumë me lidhje për mijëra fermerë shqiptarë.
Grida Duma: Krejt pa lidhje është.
Alfred Lela: Jo, po duhet të flas opozita çfarë do Top Channel.
Grida Duma: Top Channel, Lela, të do ty këtu për të thënë të vërtetën, se me këto rritet audienca.
Alfred Lela: Pse, çfarë ishte e pavërtetë? Topi është i jot, penalltinë gjuaje vetë.
Grida Duma: Te fusha ime nuk gjuan dot penallti ti, sado të zgërdhihesh. Se çdo ‘Topi’ ta tregojë unë tani. Topi do që këto deputetët e Tiranës, që po i bëni ju fresk, të shkojnë te ato pallatet atje.
Alfred Lela: Gishtin mos ma drejto mua, se nuk jam zëdhënësi yt, as rrogëtari yt. Atë gishtin fute ku të duash. Mos ma drejto gishtin mua.
Grida Duma: Ia drejtoj kujtdo që vjen në studion time për qejf.
Alfred Lela: Mos ma drejto gishtin mua.
Grida Duma: Ta drejtoj gishtin 100 herë dhe të nxjerr edhe jashtë sa herë të dua për mungesë etike. Të ikësh, Lela, që ç’ke me atë punë. Dhe fute ti gishtin pastaj. Hajde, ik.







