Nuk iu bind urdhrit për të lëvizur mjetin nga korsia e dedikuar
Avokati Altin Goxhaj është shoqëruar në polici mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, pas një përplasjeje me efektivët e policisë rrugore, të cilëve dyshohet se nuk iu bind urdhrit për të liruar korsinë e dedikuar.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 në rrugën “Kavajës”, ku një patrullë e Komisariatit Nr. 2 po ndërhynte ndaj mjeteve të parkuara në mënyrë të parregullt.
Gjatë ushtrimit të detyrës, një automjet taksi është ndalur pas makinës së policisë. Efektivët i kanë kërkuar drejtuesit të vijonte lëvizjen, por nga mjeti kanë zbritur drejtuesi i taksisë, një 26-vjeçar me iniciale A. B., si dhe avokati Altin Goxhaj.
Sipas policisë, Goxhaj ka kundërshtuar urdhrat e punonjësve të rendit dhe ka shfaqur sjellje fyese ndaj tyre. Në të njëjtën linjë, edhe drejtuesi i mjetit nuk i është bindur kërkesave për të liruar korsinë dhe për të vijuar qarkullimin.
Në këto rrethana, efektivët kanë bërë shoqërimin e Goxhajt në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2. Autoritetet bëjnë me dije se edhe gjatë shoqërimit ai ka vijuar kundërshtimin ndaj forcave të policisë.
Në përfundim të veprimeve procedurale, ndaj tij është nisur procedim penal për veprën “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Policia e Tiranës thekson se mbetet e angazhuar për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit publik dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Më datë 16.04.2026, rreth orës 20:00, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 2, duke patrulluar në rrugën “Kavajës”, ka ndaluar për të marrë masa ndaj drejtuesve të automjeteve të parkuara në korsinë e dedikuar.
Në kohën kur punonjësit e Policisë ishin duke kryer detyrën, një automjet taksi është parkuar mbrapa makinës së Policisë.
Punonjësit e Policisë i janë afruar dhe i kanë kërkuar drejtuesit të automjetit të vijojë lëvizjen, por nga mjeti taksi, që drejtohej nga shtetasi A. B., 26 vjeç, doli shtetasi A. G., 56 vjeç (avokat), i cili ka filluar të ofendojë dhe, së bashku me drejtuesin e automjetit, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë që ishin duke kryer detyrën, për të vijuar lëvizjen.
Në këto kushte, punonjësit e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 shtetasin A. G., i cili edhe gjatë shoqërimit ka vijuar të kundërshtojë punonjësit e Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, shtetasi A. G., u procedua penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të respektuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe për të përmbushur detyrën që i ngarkon ligji.







