Kush janë 11 anëtarët e grupit të Jetmir Pepajt? Zbardhen emrat

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Janë zbardhur emrat e anëtarëve të grupit të drejtuar nga Jetmir Pepaj, i njohur edhe me alias Jetmir Marashi, të cilët dyshohet se kanë trafikuar rreth 7.5 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës gjatë viteve 2019–2021.

Sipas burimeve pranë mediave, anëtarët e dyshuar të këtij grupi janë: Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj; Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi; Albert Pjetri; Fatjon Marku; Anton Marku alias Anton Tamure; Florjan Vuka alias Vathaj; Kristjan Lleshi; Klevi Leka; Lulzim Pepa; Anton Kola dhe Ilir Lazri.

Grupi kriminal dyshohet se operonte në disa shtete, përfshirë vende të Amerikës Latine, si dhe në Belgjikë dhe Holandë, ndërsa nga hetimet janë dokumentuar të paktën 8 episode të trafikut të sasive të mëdha të kokainës.

SPAK dhe BKH kanë ndërmarrë një operacion të gjerë, në kuadër të të cilit Gjykata e Posaçme ka lëshuar 11 masa sigurie, nga të cilat tre janë ekzekutuar deri më tani.

Në pranga kanë rënë disa prej të dyshuarve, ndërsa masa sigurie është vendosur edhe për vetë Jetmir Pepajn, një emër i njohur për autoritetet, i shpallur në kërkim edhe më herët për një incident me armë në Parku Olimpik i Tiranës.

Sipas SPAK, grupi ka trafikuar në disa episode rreth 7.5 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës. Gjithashtu, janë sekuestruar 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth 12 milionë euro.

Sekuestrimet përfshijnë biznese në Tiranë, Lezhë dhe qytete të tjera, sipërfaqe toke, hotele, poste parkimi dhe apartamente, si dhe 89 automjete dhe llogari bankare.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë si Eurojust, Europol dhe autoritete ligjzbatuese në disa vende europiane.

Ndaj anëtarëve të grupit rëndojnë akuza për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Publikuar nga Publik Media