E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Operacioni i SPAK ndaj Call Center, zbardhen emrat e 6 të arrestuarve
Lajme

Operacioni i SPAK ndaj Call Center, zbardhen emrat e 6 të arrestuarve

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë publike detajet e operacionit të zhvilluar gjatë fundjavës, i cili çoi në goditjen e një rrjeti kriminal të përfshirë në mashtrimin e qytetarëve italianë dhe europianë përmes call center-ave të rremë, që paraqiteshin si platforma investimi në kriptomonedha.

Sipas SPAK, aktiviteti i paligjshëm drejtohej nga tre vëllezër, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të cilët aktualisht janë në kërkim. Ndërkohë, në pranga kanë përfunduar gjashtë persona: Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi, të dyshuar si pjesë aktive e skemës mashtruese.

Hetimi u iniciua pas dorëzimit të materialeve komprometuese nga emisioni investigativ italian “Le Iene”. Gazetarët e këtij programi siguruan prova të rëndësishme, përfshirë pamje filmike, të cilat iu përcollën autoriteteve shqiptare dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në njoftimin zyrtar, SPAK sqaron se gazetarët italianë arritën të infiltronin një person në ambientet e call center-it, duke dokumentuar nga brenda mënyrën e funksionimit të aktivitetit kriminal. Këto prova u bënë bazë për nisjen e procedurave hetimore.

Autoritetet bëjnë me dije se ambientet e qendrës së thirrjeve monitoroheshin vazhdimisht, jo vetëm përmes kamerave të sigurisë, por edhe nga persona civilë të angazhuar për vëzhgim të jashtëm. Sipas SPAK, këta persona kanë dyshuar për një ndërhyrje të mundshme të strukturave ligjzbatuese.

“Ka të dhëna konkrete se mbrëmjen e 15 janarit 2026, pas mbylljes së aktivitetit ditor, pjesëtarë të stafit vëzhgues kanë paralajmëruar drejtuesit e qendrës për një aksion të mundshëm nga autoritetet. Për pasojë, në orët e para të mëngjesit të 16 janarit 2026, është ndërmarrë largimi i pajisjeve dhe boshatisja e ambienteve, përpara se SPAK të ndërhynte”, thuhet në deklaratë.

Gjatë operacionit, SPAK arrestoi në flagrancë gjashtë persona me inicialet R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M., R.P. dhe O.K. Ndërkohë, për persona të tjerë me inicialet K.K., H.Xh., si dhe tre shtetas të tjerë, janë lëshuar urdhra ndalimi, pasi dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Në kuadër të hetimeve, janë ushtruar kontrolle në 28 ambiente të ndryshme, përfshirë banesa, zyra, automjete dhe garazhe. Si rezultat, janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, dokumente, sisteme kamerash sigurie, pajisje rrjeti dhe memorie digjitale, serverë, si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se përdorej nga organizatorët e aktivitetit kriminal. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe automjete dhe motomjete të tjera të përdorura nga të dyshuarit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.