E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Asgjë e re nga fronti policor i ushtarit të mirë Skënder!
Lajme

Asgjë e re nga fronti policor i ushtarit të mirë Skënder!

Basir Çollaku

Kur iku Ilir Proda, i shumëpërfolur si banor i “ndikimit Çela” njëherësh edhe në hetim, e më pas erdhi kryepolic Skënder Hitaj, optimist-pesimistët përcollën opinionet e një mundësie të re policore në reagim. Iluzione të humbura. Asgjë më tepër. Nuk ka naiv të paditur të mos ketë bindje se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, emërohet nga Kryeministri. Këtë herë, Edi Rama, për arsye të shumta paniku e penale, bekoi zgjedhjen preferenciale të të pandehurës, vartëse, por edhe eprore të tij, Ballukut. Dihej me javë e kusur më herët, se Hitaj do të ishte zëvëndësuesi i Prodës. Shoqëruesi policor jo veprues, nëpër qarqe nga Dibra në Fier, kishte kohën e shpërblesës.
Prova…
Besim shefit, dështim pritshmërive.
Protesta e djeshme e PD dhe opozitës, ishte prova policore “Hitaj”. Me gjasë do të shënonte vetëpërmbajtje, proporcionalitet reagues e standard tjetër. Një përrallë e keqlexuar. Mandati “Hitaj” ka zero ndryshim me të ikurin. Protestuesit kundër Ramës e Ballukut, kishin drejtorin e Ramës e të Ballukut, e për t’i rritur adrenalinën pëlqyese shefave emërues. Drejtor Skënderi, u turr me nxitim ndaj deputetëve e qytetarëve. Mjaft të qeshë me delir Ramë-Bela, e t’i shpatullonin një bravo ushtarit të mirë Skënder. Deputetët demokratë, sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka, nënkryetari Luçiano Boçi, deputeti Klevis Balliu, aktivisti-gazetar anëtar i Këshillit Kombëtar Aulon Kalaja u dhunuan dhe sulmuan me gaz e djegës me piper në distancë fizike të pagabueshme për njohje. Një metër, jo më tepër. Protestues të tjerë u qëlluan ngjashëm por edhe me plumba gome, teksa largoheshin, pa qenë aspak shkelës ligjesh apo veprim ekspozues rreziku ndaj askujt. Kush i urdhëroi?!
Dhuna po rritet sepse hallet me drejtësinë të Edi Ramës dhe të të pandehurës Belinda Balluku po shtohen.
A mundet të kontribuojë në hetimet e shumta ndaj këtyre eprorëve struktura e drejtuar tani nga drejtor Skënderi!?
A mundet të mbrojë dëshmitaren e kanosur nga Balluku, ashtu siç ka pohuar Prokuroria e Posaçme se ka ndodhur?
A mundet të pastrojë organizatën e policsë nga personat përdorues të sky-enchro si pjesë në dosje kriminale të trafikut të drogës dhe vrasjeve, siç ka deklaruar në Kuvend, ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani?!
A mundet të ekzekutojë urdhër-arrestet për Troplinin e Suel Çelën, Ergys Agasin, e mjaft të tjerë profile kriminale me rrezikshmëri të lartë, kryemra të dosjeve të Prokurorisë së Posaçme akuzuar si drejtues të Organizatave Kriminale?
A mundet të riflasë me partnerët kush janë emrat me pushtet pas call-centerava mashtrimeve financiare që kërdisën dynjanë e livadhisin në mes të Tiranës, por arrestet shkojnë për ushtarë të vegjël?
Këto dhe shumë të tjera punë policore ka si ngarkesë punë për të zgjidhur, ushtari apo drejtori i mirë Skënder. Dhe jo të boshatisë magazinat e gazit e specit djegës policor për llogari të Ramës dhe Belës…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.