E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Denoncimi: Administrata Tatimore presion bizneseve, përgjegjëse është ministria e Financave
Lajme

Denoncimi: Administrata Tatimore presion bizneseve, përgjegjëse është ministria e Financave

Deputeti i Eno Bozdo ka reaguar ashpër këtë të martë, duke denoncuar moszbatimin në praktikë të ligjeve për faljen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.

Në një deklaratë publike, Bozdo thekson se prej javësh ka marrë dhjetëra ankesa nga biznese në të gjithë vendin, të cilat – sipas tij – vazhdojnë të përballen me kërkesa për pagesa të detyrimeve të vjetra, ndonëse ato janë falur apo shuar me ligj.

Ai e cilëson situatën si alarmante, duke vënë theksin te mungesa e akteve nënligjore, që sipas tij ka krijuar terren për abuzime nga administrata tatimore. Sipas Bozdos, kjo situatë ka prodhuar pasiguri dhe presion financiar mbi sipërmarrjen, në vend që të sillte lehtësim dhe qartësi ligjore.

Në qendër të kritikave të tij është Ministria e Financave, për të cilën deputeti demokrat thotë se nuk ka përmbushur detyrimin për nxjerrjen e akteve të nevojshme për zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi.

“Jemi përballë një realiteti absurd, ku ligji është në fuqi, por nuk zbatohet. Administrata vijon të sillet sikur këto ligje nuk ekzistojnë,” shprehet ai.

Bozdo thekson se bëhet fjalë konkretisht për ligjin nr. 84/2025 “Për marrëveshjen e paqes fiskale” dhe ligjin nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore”, të cilat, megjithëse kanë hyrë në fuqi prej disa muajsh, sipas tij nuk kanë gjetur zbatim real.

Sipas deputetit, mosnxjerrja e akteve nënligjore nuk është thjesht çështje teknike, por një problem i rëndë institucional që cenon ndarjen e pushteteve dhe minon autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë.

Në fund të deklaratës, Bozdo kërkon masa të menjëhershme, duke përfshirë:

  • miratimin pa vonesë të akteve nënligjore,
  • ndalimin e çdo veprimi tatimor për detyrime të falura,
  • transparencë të plotë mbi përfituesit,
  • dhe mbajtjen e përgjegjësive politike dhe administrative.

Ai u bën gjithashtu thirrje bizneseve që të kundërshtojnë çdo kërkesë që bie ndesh me ligjin, duke theksuar se sipërmarrja nuk duhet të mbetet peng i asaj që ai e quan “arrogancë dhe mosveprim institucional”.

Deklarata e Eno Bozdos

Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, gjatë javëve të fundit kam marrë dhjetëra ankesa dhe shqetësime të drejtpërdrejta nga biznese në të gjithë vendin, të cilat vijojnë të përballen me kërkesa për shlyerjen e detyrimeve të vjetra tatimore, pavarësisht faktit se këto detyrime janë shprehimisht të falura apo të shuara me ligj.

Është e pabesueshme, por mbi të gjitha e papranueshme, që më shumë se katër muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 84/2025 “Për marrëveshjen e paqes fiskale” dhe ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore”, këto ligje të miratuara nga Kuvendi vazhdojnë të mos gjejnë zbatim real në praktikë.

Vecanërisht për këtë ligjin e fundit, situata është shqetësuese sepse janë krijuar shumë probleme në ndërveprimin e bizneseve me organet fiskale!

Shkaku është i qartë dhe nuk mund të fshihet më pas justifikimeve teknike: Ministria e Financave nuk ka përmbushur detyrimin e saj ligjor për të nxjerrë aktet nënligjore të domosdoshme për zbatimin e këtij ligji. Ky mosveprim i qëllimshëm ose i papërgjegjshëm ka krijuar një situatë absurde dhe të rrezikshme, ku ligji ekziston vetëm në letër, ndërsa administrata tatimore vazhdon të veprojë sikur ai të mos ishte miratuar kurrë.

Mungesa e akteve nënligjore nuk është thjesht një vonesë burokratike. Ajo ka hapur rrugën për abuzivitet dhe presion nga ana e strukturave tatimore ndaj bizneseve, duke u dhënë atyre hapësirë për trajtime arbitrare, për interpretime selektive dhe për ushtrim presioni financiar mbi sipërmarrjen. Në vend që ky kuadër ligjor të sillte qetësi juridike dhe mbyllje përfundimtare të kapitullit të borxheve të vjetra, ai ka prodhuar më shumë pasiguri, më shumë frikë dhe një përkeqësim të mëtejshëm të klimës së biznesit.

Duhet theksuar me forcë se këto ligje u miratuan ashtu sic edhe vetë qeveria i kërkonte, pa asnjë ndryshim, edhe pas kërkesave të përsëritura të deputetëve të opozitës për më shumë transparencë, qartësi dhe garanci ligjore.

Gjatë procesit parlamentar, deputetët e Partisë Demokratike propozuan amendime konkrete për të përcaktuar mekanizma kontrolli dhe transparencë mbi subjektet përfituese. Të gjitha këto amendime u hodhën poshtë nga mazhoranca, ndërkohë që asnjëherë nuk u ofrua transparencë e plotë për mënyrën se si do të zbatoheshin ligjet dhe se kush do të përfitonte realisht prej tyre.

Sot, pas katër muajsh moszbatim, pasojat janë të qarta: administrata vepron pa rregulla të qarta, bizneset ndëshkohen dhe vullneti i Parlamentit shpërfillet. Ky është një rast tipik dhe skandaloz ku administrata është bërë më e fortë se Kuvendi, ku një ministri, përmes mosveprimit, ka arritur të bllokojë zbatimin e ligjeve të votuara nga pushteti ligjvënës. Ky precedent përbën një skandal institucional dhe kushtetues, sepse cenon drejtpërdrejt parimin e ndarjes së pushteteve dhe minon autoritetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Ligji nuk është dhe nuk mund të jetë opsional. Aktet nënligjore nuk krijojnë të drejtën, por vetëm rregullojnë mënyrën e ushtrimit të saj. Mos nxjerrja e tyre nuk e pezullon ligjin, por ekspozon administratën ndaj përgjegjësisë së drejtpërdrejtë për dëmet që po u shkakton bizneseve dhe ekonomisë.

Në këto kushte, kërkoj publikisht nxjerrjen e menjëhershme të të gjitha akteve nënligjore për zbatimin e këtij kuadri ligjor, ndalimin e çdo veprimi tatimor për detyrime të falura me ligj, transparencë të plotë mbi zbatimin dhe subjektet përfituese, si dhe përgjegjësi politike dhe administrative për këtë sabotim të hapur të ligjit.

Në të njëjtën kohë i bej thirrje biznesit të refuzojë cdo kërkesë abuzive të administratës tatimore, që në kundërshtim me ligjin, kërkon atë që ligji ia ndalon!

Biznesi nuk mund dhe nuk duhet të mbahet peng i arrogancës dhe mosveprimit institucional. Kur ligji miratohet nga Kuvendi dhe nuk zbatohet nga qeveria, problemi nuk është teknik – është politik.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.