Petrit Malaj zbulon formulën e buxhetit 2027: Shqiptarët ikin, por në letra vazhdojnë të jenë këtu!
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka përdorur një përllogaritje që ngre pikëpyetje për bazën statistikore të shifrave të prezantuara gjatë diskutimit të buxhetit të vitit 2027.
Në një intervistë për A2 CNN, Malaj deklaroi se shpenzimet e shtetit për vitin e ardhshëm do të arrijnë mesatarisht në 406 mijë lekë për çdo banor, ose më shumë se 4 200 euro për frymë.
Por përllogaritja e kësaj shifre duket se mbështetet te numri i popullsisë së regjistruar në Censin e vitit 2023, ndërkohë që INSTAT ka publikuar të dhëna më të reja për popullsinë rezidente.
Sipas Censit 2023, Shqipëria kishte 2 402 113 banorë. Ndërsa vlerësimi i INSTAT-it për 1 janarin 2026 e vendos popullsinë rezidente në 2 335 930 banorë, ose 66 183 banorë më pak.
Diferenca bëhet e dukshme kur buxheti prej 976,1 miliardë lekësh pjesëtohet me dy shifrat e ndryshme të popullsisë.
Nëse përdoret numri i banorëve të Censit 2023, shpenzimi mesatar rezulton rreth 406 mijë lekë për frymë, pikërisht shifra e deklaruar nga ministri. Ndërsa me popullsinë rezidente të vlerësuar nga INSTAT për vitin 2026, shuma arrin në afro 418 mijë lekë për banor.
Pra, diferenca mes dy përllogaritjeve është rreth 12 mijë lekë për frymë.
Kjo shumë nuk përfaqëson para që qytetarët do të marrin drejtpërdrejt, por një tregues aritmetik që del nga pjesëtimi i shpenzimeve të përgjithshme të shtetit me numrin e banorëve.
Megjithatë, çështja që ngrihet është se përse, gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2027, është përdorur një bazë popullsie që i referohet vitit 2023, kur ndërkohë ekzistojnë vlerësime më të fundit zyrtare.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë gjithashtu se Shqipëria vijon të përballet me tkurrje demografike. Vetëm gjatë vitit 2025, migracioni neto rezultoi negativ me 28 531 persona.
Mbetet për t’u sqaruar nëse Ministria e Financave ka përdorur një bazë tjetër statistikore për këtë përllogaritje apo nëse shifra e deklaruar nga Malaj është nxjerrë duke iu referuar popullsisë së Censit 2023.
Dikur Edi Rama ironizonte publikisht aritmetikën e Lulzim Bashës. Tashmë, një përllogaritje e ministrit të tij të Financave po ngre pikëpyetje të ngjashme për mënyrën se si prezantohen shifrat e buxhetit.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



