E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Policia mohon të shtënat në Rrjoll, banorët kundërshtojnë
Lajme

Policia mohon të shtënat në Rrjoll, banorët kundërshtojnë

Të shtënat me armë, që pretendohet se kanë ndodhur katër ditë më parë në zonën e Rrjollit, vijojnë të mbeten një “mister”, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar dhe të zhgënjyer nga reagimi i Policisë së Shtetit, e cila e ka përgënjeshtruar ngjarjen.

Në një prononcim për mediat lokale, banorja Luçiana Kokaj ka reaguar e irrituar, duke kërkuar që autoritetet të zbardhin sa më parë situatën dhe të sqarojnë nëse të shtënat përbënin kërcënim për banorët apo për vetë efektivët e Policisë.

Ajo ngriti pikëpyetje mbi veprimet e policisë në ditën e ngjarjes, duke kërkuar shpjegime konkrete.

“Meqë nuk ka pasur krisma armësh, Policia e Shtetit të na sqarojë se pse u nis një furgon policie me gjithë efektivë brenda për në bregdet? Pse u ndalua një makinë e cila vinte nga bregdeti, e qytetarët që ishin brenda u shoqëruan? I ka parë i gjithë fshati, i morën dhe i çuan në komisariat. Këtë le të na sqarojë Policia, se nëse këta nuk kanë dëgjuar krisma armësh për çfarë po bëhen këto procedura?” u shpreh Kokaj.

Banorët e Rrjollit kanë ngritur shqetësime edhe më herët për të shtëna me armë, të cilat sipas tyre ndodhën gjatë protestave të fundit në zonë.

Nga ana tjetër, Policia e Shkodrës ka mohuar zyrtarisht ngjarjen, duke deklaruar se pas verifikimeve në terren dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve, nuk është konfirmuar asnjë rast i të shtënave me armë zjarri.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori për njoftim fakti, pasi dje shtetasja L. K. ka deklaruar në rrjetet sociale se ka dëgjuar të shtëna me armë në fshatin Rrjollë. Menjëherë, shërbimet e Policisë që kanë qenë të dislokuara në fshatin Rrjollë kanë kryer kontroll të zonës, kanë pyetur rojet e kantierit të firmës së ndërtimit aty pranë dhe disa qytetarë të pranishëm në bregdet, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri”, njoftoi policia.

Megjithatë, Kokaj këmbëngul se të shtënat kanë ndodhur dhe se banorët nuk kanë dhënë asnjëherë deklarata të pavërteta.

“Banorët nuk kanë gënjyer në asnjë ditë të vetme që ditën e parë. Nuk kemi gënjyer që toka është e jona. Nuk kemi gënjyer se jemi dhunuar. Nuk kemi gënjyer se jemi marrë me forcë nga forcat e Policisë. Nuk kemi gënjyer se ka pasur krisma armësh. Pas deklaratës së Policisë ne ndihemi akoma më të kërcënuar”, tha ajo.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.