Denoncimi për “Jet Bank”, akuza të forta edhe për pastrim parash
Këlliçi: Do të jetë arsyeja që do të shtyhen negociatat me BE-në
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur akuza të forta në seancën plenare të Kuvendit lidhur me krijimin dhe funksionimin e “Jet Bank”, duke e cilësuar procesin si të mbushur me parregullsi dhe mungesë transparence nga ana e Bankës së Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Këlliçi theksoi se ky zhvillim mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian, pasi lidhet me kapituj të rëndësishëm tashmë të hapur, përfshirë ata të tregut të brendshëm. Ai ngriti shqetësime edhe për rrezikun e pastrimit të parave, duke e lidhur këtë çështje me funksionimin e bankës digjitale.
Në deklaratën e tij, deputeti u shpreh:
“Shqipëria është kthyer në vendin kyç të pastrimit të parave. Jemi në pikën që sot po kaloni të parën bankë digjitale, që edhe aty Banka e Shqipërisë nuk kthen përgjigje. Jemi në fazën që do kemi hapur grupkapitujt 1,2 dhe ata të tregut të brendshëm. Kjo banka digjitale që keni kaluar dhe mbajeni mend. Jet Bank do të jetë arsyeja që do të shtyhen negociatat. Mbajeni mend dhe këtu do të jemi”,-tha Këlliçi.
Deklaratat e tij vijnë në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit, ndërsa çështja e transparencës financiare dhe lufta kundër pastrimit të parave mbeten ndër kushtet kryesore të vendosura nga partnerët ndërkombëtarë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



