Përgjimet zbulojnë rolin e Daniel Shimës në ‘kopsitjen’ e tenderëve
Personi që lëvizte fijet e manipulimit te AKSHI
Detaje të reja kanë dalë nga dosja hetimore që lidhet me AKSHI-n, ku emri i Daniel Shimës shfaqet në mënyrë të përsëritur në komunikime të brendshme që ngrenë dyshime mbi mënyrën e zhvillimit të procedurave të prokurimit.
Sipas materialeve të administruara nga organet hetimore, të siguruara edhe nga Syri, Shima rezulton të ketë pasur një rol aktiv në koordinimin e veprimeve që lidhen me anulimin e tenderëve dhe përgatitjen e tyre për rishpallje. Në këto komunikime, ai ndërvepron drejtpërdrejt me zyrtarë të tjerë të përfshirë në proces, duke dhënë orientime dhe duke kërkuar të jetë i informuar paraprakisht për vendimet që merren.
Në një prej bisedave, vihet re ndërhyrja e tij në përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, çka sugjeron një ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje. Po ashtu, kërkesa për t’u njoftuar përpara se të vendosen emrat e anëtarëve lë të kuptohet për një rol jo thjesht formal, por ndikues në proces.
Referencat për anulime të procedurave me argumentin e “mos pjesëmarrjes”, si dhe përfshirja e operatorëve të caktuar në faza të mëvonshme, shtojnë pikëpyetje mbi transparencën dhe barazinë në këto praktika. Këto zhvillime lidhen me periudhën kur Shima ushtronte detyrën e zëvendësdrejtorit dhe bashkëpunonte ngushtë me strukturat e prokurimeve.
Pjesë nga përgjimet në dosjen e AKSHI-t:
Emirton Suli: Më duhet një KVO për “Green”, 2 + 3 specialistë të fushës, që të bëjmë PCV që nuk u paraqit njeri dhe një njoftim anulimi që të jemi gati për rishpallje.
Daniel Shima: 5 veta, apo?
Emirton Suli: Kështu e ka kjo rregullorja e Këshillit Europian, komisioni përbëhet nga minimumi 5 veta, ku 3 janë specialistë teknikë.
Daniel Shima: Marko + pyet Markon edhe për 4.
Emirton Suli: Okej.
Daniel Shima: Por më thuaj përpara se t’i vendosësh.
Emirton Suli:
Daniel Shima: Ta kishim Okej. futur atë të Albës.
Emirton Suli: Po mirë, s’ka problem. Si ta anullojmë për mos pjesëmarrje dhe të skualifikohet i vetmi pjesëmarrës, njësoj është.
Emirton Suli: Të sjellë letrat Alba sipas datave që kemi folur…
Nga përmbajtja e këtyre përgjimeve rezulton se komunikimi zhvillohet në kohën kur Daniel Shima mbante postin e zëvendësdrejtorit dhe ishte në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me drejtues të prokurimeve.
Në fokus të diskutimeve është edhe dhënia e një tenderi për kompaninë ABS, në pronësi të Gerond Meçes. Në këtë kontekst, përmendet edhe një punonjëse me emrin Alba, ndërsa Marko identifikohet si drejtori i Infrastrukturës në AKSHI.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



