E bujshme! SHISH përgjoi familjarët e prokurorëve të SPAK?
Çfarë i raportua pas dyerve të mbyllura të Këshillit të Sigurisë?
Një element i ri mësohet të jetë diskutuar gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku në fokus ka qenë edhe çështja e hetimit të dosjes së AKSHI-t dhe aktiviteti i dyshuar i strukturave të SHISH.
Sipas burimeve të cituara në raportime mediatike, kreu i SPAK, Klodian Braho, i ka përcjellë kryeministrit Edi Rama pretendimin se gjatë kohës kur Vlora Hyseni drejtonte SHISH-in, janë angazhuar struktura të këtij institucioni për të ndjekur dhe përgjuar familjarë të dy prokurorëve të SPAK.
Bëhet fjalë për prokurorë të përfshirë në hetimin e procedurave dhe dyshimeve për abuzime që lidhen me AKSHI-n. Sipas të njëjtave burime, veprimet e dyshuara ndaj familjarëve nuk kanë qenë qëllim në vetvete, por janë parë si një mënyrë e mundshme për të ushtruar presion mbi prokurorët që po merreshin me dosjen.
Dosja e AKSHI-t në qendër të diskutimeve
Në këtë hetim janë përmendur prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani, ndërsa mes personave që janë vendosur nën hetim për çështjen është edhe biznesmeni Ergys Agasi.
Raportimet mbi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e lidhin pikërisht hetimin e kësaj dosjeje me pretendimet për veprimtarinë e dyshuar të strukturave të SHISH gjatë drejtimit të institucionit nga Vlora Hyseni.
Nëse këto pretendime do të provohen nga hetimi, çështja do të merrte një tjetër dimension, pasi nuk do të lidhej vetëm me procedurat e prokurimeve të AKSHI-t, por edhe me mënyrën se si mund të jetë tentuar të ndikohet ndaj personave të angazhuar në hetimin e saj.
Megjithatë, deri në këtë fazë, informacioni mbi këtë pjesë të diskutimeve në Këshillin e Sigurisë Kombëtare mbështetet në burime të cituara nga media dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



