Asgjë e re nga Sulltani i Rilindjes dhe pashallëku i opozitës
Në oborrin e pushtetit të “sulltanit” socialist Edi Rama, thika dhe gërshërët nuk përdoret vetëm për të prerë shiritat e inaugurimeve nëpër tunelet dhe rrugët e Belinda Ballukut.
Për më shumë se një dekadë, Edi Rama ka dëshmuar se “kokat e divanit” – nga Tahiri te Bushati e Xhafaj – mund të priten me të njëjtën lehtësi me të cilën u ngjitën.
Sipas një modeli thelbësisht osman, Kryeministri nuk ka asgjësuar vetëm rebelimin, por ka djegur tokën ku mund të mbillej qoftë edhe ideja e një fraksioni, duke bërë partinë si pronë të tij, ashtu si opozitari i lidhur, për fat të mirë të tij, Sali Berisha.
Ishte vetë sulltani socialist që i preu kokën Erion Veliajt, duke goditur rrjetet e interesit jashtë oborrit të tij dhe duke “zeruar” 12 vitet e Veliajt në Tiranë përmes rikthimit të nostalgjisë për epokën e tij në Bashki.
Vetëm ndonjë socialist tipik naiv nuk e ka kuptuar se Rama ka vulosur statusin e autokratit tipik lindor, ashtu si Berisha: se në këtë PS, dielli lind dhe perëndon vetëm me të. Thuajse këtu ngjajnë si dy pika uji me Sali Berishën, i cili e ka pronë PD-në dhe vendin e dytë në opozitë.
Sot, në PS ka një mizanskenë të kalkuluar nga vetë Rama.
“Rebelimi” i Erion Braçes apo “opozitarizmi” i Elisa Spiropalit nuk janë akte lirie, por akte në teatrin e liderit. Është një strategji e stilit “Erdogan”: krijimi i një rrëmuje artificiale brenda familjes, ku figurat përplasen mes tyre, që në fund, “populli socialist” të thërrasë me dëshpërim emrin e të vetmit që mban ekuilibrin.
Edi Rama po përgatit “Rilindjen e Rilindjes”. Qoftë duke katapultuar figura nga jashtë, apo duke ndryshuar formën e pushtetit, synimi mbetet i njëjtë: Kontrolli absolut. Ai po i thotë Perëndimit se po përgatit ikjen, ndërkohë që po betonon qëndrimin.
Pyetja që mbetet për shqiptarët nuk është se kush do ta zëvendësojë Ramën, por a do të lejojë Rama që ky sistem të ketë ndonjëherë një “pas”?! Sepse në Shqipëri, ashtu si në Turqi, sulltanët nuk largohen me ftesë – ata largohen vetëm kur kështjella e tyre fillon të shembet nga brenda. Dhe për momentin, kështjella duket se ka vetëm një zot, Edi Ramën, që me kaq skandale e korrupsion do të kontrollojë kohën e shembjes, duke mbajtur Belinda Ballukun në krah me shumë kosto e sakrifica.
Ndërsa Sali Berisha, në kampin opozitar, duket se nuk zbret poshtë 98% të votave për kreun e PD-së.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



