Ndahet dosja “Meta” në GJKKO, ja kush kalon në gjykim të shkurtuar
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të ndajë çështjen e njohur si dosja “Meta”, duke veçuar procedurat për disa nga personat nën hetim në këtë proces të rëndësishëm penal.
Gjatë seancës së zhvilluar këtë të hënë, trupa gjykuese pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Ndërkohë, për ish-Presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, procesi do të vijojë sipas procedurës së zakonshme gjyqësore.
Procedura e shkurtuar nënkupton që shqyrtimi i çështjes mbështetet vetëm mbi provat e administruara gjatë hetimeve, pa zhvillimin e plotë të shqyrtimit gjyqësor në sallë. Në rast shpalljeje faji, kjo formë gjykimi parashikon ulje të dënimit me një të tretën.
Pas përfundimit të seancës, Monika Kryemadhi e cilësoi ndarjen e çështjes si një zhvillim pozitiv, duke theksuar se shmanget përfshirja e personave të tjerë në të njëjtin proces.
Në të njëjtën seancë, Prokuroria e Posaçme vijoi paraqitjen e provave që lidhen me hetimet për aferën CEZ-DIA, si dhe aktivitetet lobuese të LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë fjalës së tij në sallë, Ilir Meta u përpoq të distancohej nga veprimet e ish-bashkëshortes, duke theksuar se përgjegjësia penale është individuale dhe se ai nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprime të kryera pa dijeninë e tij.
Deklarata e tij erdhi në një moment kur prokuroria po lexonte komunikime dhe prova të përfshira në dosjen hetimore, të cilat lidhen me marrëdhëniet me biznesmenin Ardian Shatku dhe me ndikimin e pretenduar në tregun e fibrave optike.
Sipas prokurorit të çështjes, ekzistojnë dyshime se Meta dhe Kryemadhi kanë ushtruar ndikim për të favorizuar përfshirjen e kompanisë së Shatkut në këtë sektor. Gjithashtu, në sallë u përmendën edhe shpenzime të konsiderueshme që dyshohet se janë kryer nga Monika Kryemadhi përmes kartave bankare të lidhura me këtë biznesmen.
Seanca u shoqërua edhe me debate mbi transparencën e procesit, ku mbrojtja kundërshtoi kufizimet për praninë e mediave dhe mënyrën e trajtimit të ish-Presidentit në sallë. Megjithatë, gjykata vendosi të mos lejojë transmetimin e drejtpërdrejtë, duke argumentuar se një gjë e tillë mund të ndikojë në parimin e prezumimit të pafajësisë dhe të cenojë privatësinë e dëshmitarëve.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po përballen me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në një çështje që lidhet ngushtë me aferën CEZ-DIA dhe aktivitetet lobuese të LSI-së në SHBA.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



