E pandehur për abuzime, zbardhet lëvizja e fundit e Ballukut
Ish-zv.kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka ndërmarrë një hap të ri ligjor për t’u rikthyer në funksionet publike. Ajo ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kundërshtuar masën e pezullimit të vendosur ndaj saj në kuadër të një hetimi penal.
Balluku është aktualisht nën akuzë në një çështje që lidhet me procedura tenderimi me vlera të konsiderueshme, ku dyshohet për shkelje të barazisë në garë. Pezullimi i saj nga detyra është vendosur si masë sigurie gjatë zhvillimit të hetimeve.
Zhvillimet ndaj saj u pasuan edhe me vendim politik. Kryeministri Edi Rama, gjatë një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njoftoi largimin e Ballukut nga detyrat qeveritare. Ky vendim erdhi rreth katër muaj pasi Prokuroria e Posaçme e shpalli atë të pandehur për veprën penale që lidhet me tenderat publikë.
Belinda Balluku mbajti postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej vitit 2019, ndërsa në vitin 2022 mori edhe funksionin e zv.kryeministres, duke qenë një nga figurat më të rëndësishme të kabinetit qeveritar në vitet e fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



