E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Greqia nuk humb kohë, shfrytëzon momentin e përplasjeve në Zvërnec
Bota

Greqia nuk humb kohë, shfrytëzon momentin e përplasjeve në Zvërnec

Athina futet në lojë me pretendime për minoritetin

Pas protestave të dhunshme të ndodhura në Zvërnec, reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë ka shtuar tensionin në debatin publik, duke e zhvendosur çështjen nga një konflikt lokal në një diskutim me nuanca më të gjera politike dhe diplomatike.

Athina zyrtare deklaroi se ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit, duke iu referuar incidentit ku gjatë përplasjes mes protestuesve dhe rojeve private mbeti i plagosur një shtetas grek. Sipas autoriteteve greke, Ambasada e Greqisë në Tiranë ndërhyri menjëherë për t’i ofruar ndihmë konsullore dhe mbështetje mjekësore.

Por përtej shqetësimit për incidentin, pala greke ka shkuar më tej, duke shfrytëzuar situatën për të ngritur për herë të parë pretendime mbi ekzistencën e minoritetit grek në zonën e Zvërnecit, një çështje që pritet të ndezë debate të reja në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në deklaratën zyrtare, Ministria e Jashtme e Greqisë i kërkon autoriteteve shqiptare zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e respektimit të shtetit të së drejtës, të drejtave pronësore dhe të drejtave të pjesëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek në Shqipëri.

Athina vendos theks edhe te mbrojtja e zonave të mbrojtura mjedisore, duke e lidhur këtë me standardet evropiane dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Debati është përfshirë edhe në arenën evropiane. Eurodeputeti Fredi Beleri ka depozituar një pyetje zyrtare në Komisionin Evropian, ku pretendon se në fshatin Zvërnec, të banuar sipas tij kryesisht nga anëtarë të minoritetit grek, një kompani private po ndërhyn mbi prona të konfiskuara gjatë regjimit komunist dhe ende të pakthyera tek pronarët e ligjshëm.

Në pyetjen e tij, Beleri kërkon të dijë nëse Komisioni Evropian është në dijeni të këtyre denoncimeve dhe çfarë masash do të ndërmarrë për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe pronësore të pakicave në vendet kandidate. Ai gjithashtu ngre pikëpyetje nëse përparimi i Shqipërisë drejt BE-së duhet të kushtëzohet me rezultate konkrete në respektimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të minoriteteve.

Zhvillimet e fundit tregojnë se çështja e Zvërnecit tashmë ka kaluar përtej një konflikti lokal për ndërtimet, duke marrë dimensione politike dhe ndërkombëtare, me potencial për të ndikuar edhe në marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin integrues të Shqipërisë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.