Biznesi në kor kundër privatizimit të tenderave të shëndetësisë
🇬🇧 Read in EnglishBie në kundërshtim me MSA, të ndërhyjë BE
Katër organizata të biznesit i kërkojnë Qeverisë që të mos e miratojë projektligjin për krijimin e shoqërisë shtetërore “MedAL sh.a.” pa e dërguar më parë për shqyrtim në Komisionin Evropian.
Përmes një reagimi të përbashkët, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Britanike e Tregtisë, Unioni i Biznesit Farmaceutik dhe Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike paralajmërojnë se reforma e re për furnizimin me barna dhe pajisje mjekësore rrezikon konkurrencën e lirë dhe bie ndesh me 4 kapituj të negociatave me BE-në.
Ato kërkojnë transparencë nga Ministria e Shëndetësisë: nëse drafti është dërguar tashmë në Bruksel, Ministria duhet të bëjë publik versionin e dërguar, fazën ku ndodhet shqyrtimi dhe vërejtjet e Komisionit Evropian, në mënyrë që të diskutohen hapur gjatë konsultimeve.

Katër organizatat paralajmërojnë se ky model i ri shtetëror prek katër fusha të rëndësishme të negociatave me BE-në dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit: mënyrën se si do të jepen tenderat publikë, rolin e kësaj shoqërie në treg dhe financimin apo ndihmën shtetërore për të , mënyrën si do të llogaritet ajo në statistikat kombëtare, si dhe kontrollin e auditimin e parave publike që do të përdoren.
Edhe pse biznesi mbështet synimin që pacientët të marrin barna dhe shërbime në kohë, kujton se sot janë pikërisht kompanitë private ato që garantojnë cilësinë e ilaçeve gjatë magazinimit e transportit, si dhe mirëmbajnë pajisjet mjekësore. Megjithatë, organizatat shprehen të gatshme të ulen në tryezë me Ministrinë për të përmirësuar furnizimin e spitaleve, me kusht që të mos dëmtohet tregu i lirë dhe shërbimi ndaj qytetarëve./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



