E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kompania e lidhur me Kushner reagon për projektin në Zvërnec
Lajme

Kompania e lidhur me Kushner reagon për projektin në Zvërnec

“Respektojmë proceset dhe vijojmë përpara, do të krijojmë një destinacion të klasit botëror”

Kompania e lidhur me investimet e dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ka reaguar për herë të parë lidhur me projektin turistik në Zvërnec, në jug të Shqipërisë, mes protestave të vazhdueshme kundër këtij zhvillimi.

Në një qëndrim për mediat, përfaqësues të kompanisë Affinity Partners theksuan se respektojnë proceset publike dhe institucionale në Shqipëri dhe janë të gatshëm të vijojnë me projektin paralelisht me këto procedura.

Asher Abehsera, drejtues i Sazan Real Estate Development LLC, deklaroi se projekti synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe krijimin e përfitimeve afatgjata për komunitetin lokal. Sipas tij, fokusi mbetet te mbrojtja e mjedisit, hapja e vendeve të punës dhe ndërtimi i një destinacioni turistik me standarde ndërkombëtare.

“Ne shohim potencial të madh për të krijuar një projekt të klasit botëror, që mund të shndërrohet në një nga investimet private më të rëndësishme në rajon”, u shpreh ai.

Ndërkohë, protesta kundër projektit në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë kanë vijuar si në Zvërnec ashtu edhe në Tiranë, ku qytetarë, aktivistë dhe banorë lokalë kanë kundërshtuar ndërhyrjen në këtë zonë me rëndësi të veçantë ekologjike.

Kundërshtarët e projektit kanë ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis, çështjet e pronësisë dhe mungesën e transparencës në procedurat e investimit. Paralelisht, organizatat mjedisore kanë nisur edhe një peticion online për ndalimin e projektit.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur publikisht investimin, duke theksuar se ai nuk do të ndalet gjatë mandatit të tij. Ai gjithashtu deklaroi se SPAK ka ndërhyrë për të bllokuar një transaksion të lidhur me pronat në zonë, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucioni.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë të ditur se ka nisur hetime për çështjen e Zvërnecit, pa dhënë detaje mbi objektin konkret të tyre.

Projekti ka marrë vëmendje të madhe publike edhe pas deklarimeve të mëhershme të Kushner, i cili në vitin 2024 shprehu synimin për ndërtimin e resorteve luksoze me vila dhe hotele në zonë.

Ndërkohë, kompania e lidhur me të ka marrë statusin e investitorit strategjik për një projekt tjetër në ishullin e Sazanit, ndërsa për Zvërnecin, sipas kryeministrit, ende nuk është paraqitur një kërkesë zyrtare për një status të tillë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.