Shqipëria me investime 4 mld € në Zvërnec, po kërkon punëtorë në Indonezi
Duket paradoksale që Rama po zhvillon gjasme projekte ekselente në turizëm. Madje projekti i Zvërnecit pretendon një investim 4 mld euro, por nuk kemi punëtorë, ndaj Shqipëria po kërkon në në Filipine dhe Indonezi fuqi punëtore.
Në një përpjekje për të përballuar krizën e thellë të mungesës së fuqisë punëtore të shkaktuar nga emigrimi masiv i qytetarëve shqiptarë, qeveria e Shqipërisë ka kthyer sytë nga Azia Lindore. Pas marrëveshjeve të ngjashme me Filipinet, Shqipëria pritet të nënshkruajë një Memorandum Mirëkuptimi me Indonezinë për importimin e punëtorëve migrantë, kryesisht për sektorin në rritje të turizmit dhe mikpritjes.
Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga autoritetet indoneziane, pas një takimi të nivelit të lartë të zhvilluar në Xhakarta.
Detajet e marrëveshjes “Qeveri me Qeveri”
Iniciativa u diskutua të hënën, më 15 qershor 2026, midis Zëvendësministres së Mbrojtjes së Punëtorëve Migrantë Indonezianë, Christina Aryani, dhe të Ngarkuarit me Punë të Shqipërisë në Indonezi, Nikson Ballço.
Sipas zyrtarëve indonezianë, kjo marrëveshje do të funksionojë në dy faza:
1. Kuadri Ligjor (G2G): Nënshkrimi i marrëveshjes zyrtare midis Ministrisë së Mbrojtjes së Punëtorëve Emigrantë të Indonezisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë.
2. Zbatimi (P2P): Pas nënshkrimit, rekrutimi do të kaloje në skemën “private-me-privat”, duke përfshirë agjencitë shqiptare dhe kompanitë indoneziane të punësimit.
Ibrahimaj udhëton drejt Indonezisë në korrik
Për të finalizuar këtë marrëveshje, Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, do të udhëtojë drejt Indonezisë në fund të muajit korrik 2026.
“Shqipëria po shfaqet si një destinacion turistik në Evropë, duke kërkuar fuqi punëtore shtesë për të mbështetur rritjen e sektorit të saj të mikpritjes. Kjo është një mundësi tërheqëse për punëtorët migrantë indonezianë që kanë përvojë dhe kompetencë në këtë sektor”, deklaroi Christina Aryani.
Paradoksi i tregut të punës në Shqipëri
Ky zhvillim nxjerr në pah një realitet të ri socio-ekonomik në Shqipëri. Ndërsa të rinjtë dhe krahët e kualifikuar të punës vazhdojnë të largohen nga vendi drejt Bashkimit Evropian, bizneset vendase – sidomos ato në bregdet dhe në strukturat hoteliere – po detyrohen të mbështeten te punëtorët e huaj nga vende të largëta.
Qeveria indoneziane ka theksuar se prioriteti i tyre kryesor do të jetë sigurimi i mekanizmave ligjorë që garantojnë mbrojtjen dhe të drejtat e punëtorëve të tyre në territorin shqiptar, duke e parë Shqipërinë si një “portë hyrëse” të re për tregun evropian.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



