Helmimi i 64 studentëve, Prokuroria e Tiranës ‘zbarkon’ në AKU-së
Merret në pyetje drejtori për Tiranën
Prokuroria e Tiranës ka thelluar hetimet lidhur me helmimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë, një ngjarje që dyshohet të ketë ardhur si pasojë e ushqimit të furnizuar nga kompania private “SORI-AL”.
Në qendër të verifikimeve janë vendosur procedurat e ndjekura nga institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore, ndërsa Prokuroria po shqyrton nëse janë respektuar detyrimet ligjore në kontrollin e subjektit që siguronte ushqimin për studentët.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se është marrë në pyetje drejtori i komanduar i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për Tiranën, Erand Muharremi, lidhur me kontrollet e ushtruara ndaj kompanisë në fjalë. Po ashtu, janë sekuestruar të gjitha dokumentet dhe praktikat që lidhen me këtë subjekt, për të verifikuar nëse inspektimet janë kryer në përputhje me ligjin.
Në vijim të hetimeve, janë marrë dëshmitë e disa inspektorëve të AKU-së, ndërsa të tjerë pritet të pyeten në ditët në vijim, në funksion të zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.
Prokuroria është në pritje të rezultateve të analizave laboratorike, të cilat pritet të përcaktojnë shkakun e saktë të helmimit. Studentët e prekur u paraqitën në spital me simptoma si dhimbje barku, të vjella dhe temperaturë.
Ky është rasti i dytë i raportuar i helmimit në radhët e studentëve të Akademisë së Sigurisë, çka e bën hetimin edhe më të ndjeshëm dhe rrit nevojën për përgjegjësi institucionale.
Në varësi të provave që do të dalin nga hetimi dhe përgjigjeve të analizave, Prokuroria pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm ligjorë, përfshirë edhe masa ndaj personave që mund të rezultojnë përgjegjës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



