Evazioni me naftën, Prokuroria merr të pandehur Arian Tartarin dhe Sotirios Kapotas
Nën hetim edhe kompania “Transatlantic Albania”
Prokuroria e Tiranës ka marrë zyrtarisht të pandehur biznesmenët Arian Tartari, Sotirios Kapotas, shtetasit amerikanë Alexander Charles Bazals e Bouglas Craig Nester, si dhe Naim Kasën, së bashku me shoqërinë “Transatlantic Albania Ltd”, pas një kallëzimi të Administratës Tatimore për evazion fiskal.
Dosja e hetuar nga prokurori Ndini Tavani ka përfunduar hetimet dhe i është dërguar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për gjykim, duke kaluar tashmë në fazën e seancës paraprake.

Ndonëse shuma e evazionit për të cilën akuzohen personat e mësipërm nuk bëhet e ditur në njoftimin gjyqësor, një burim i tha Kapitalit se bëhet fjalë për vlera të konsiderueshme të shmangies së taksave.
Njoftimi me shpallje publike në QKB
Për shkak të pamundësisë për të realizuar njoftimin e drejtpërdrejtë të palës së pandehur, gjyqtari i çështjes, Artur Prenga, ka urdhëruar njoftimin me shpallje publike (në zbatim të nenit 138 e vijues të K.Pr.Penale).
Shkresa zyrtare i është përcjellë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) për afishim, krahas publikimit në stendën e njoftimeve dhe në faqen zyrtare të gjykatës. Seanca paraprake, e cila do të vendosë kalimin e dosjes për gjykim themeli, është caktuar në orën 09:30 pranë Dhomës Penale të Gjykatës së Tiranës.
Historiku i kompanisë dhe koncesioni i Gorishtit
Shoqëria “Transatlantic Albania Ltd” (ish-dega në Shqipëri e Stream Oil & Gas Ltd) është subjekti që kontrolloi për gati një dekadë disa prej vendburimeve kryesore të naftës dhe gazit në vend, përfshirë Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvinën, përmes marrëveshjeve hidrokarbure të lidhura me kompaninë shtetërore Albpetrol që prej vitit 2007.
Kompania e themeluar fillimisht nga biznesmeni grek Sotirios Kapotas dhe e përfaqësuar në Shqipëri nga partneri i tij Arian Tartari u ble në vitin 2014 nga kompania amerikane
TransAtlantic Petroleum, ndërsa më pas u përfshi në konflikte të gjata kontraktore, akumulim borxhesh dhe detyrimesh të prapambetura ndaj shtetit dhe Albpetrol-it, çka solli prishjen e marrëveshjeve koncesionare dhe rikthimin e vendburimeve nën administrimin shtetëror./Kapitali
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



