Alarmi nga pacientët, mungon ilaçi jetik për sëmundjet e gjakut
Shteti ua heq edhe nga skema e rimbursimit
Një situatë shqetësuese është denoncuar në redaksinë tonë nga një pacient që vuan nga sëmundje kronike të gjakut, i cili ngre alarmin për mungesën e një medikamenti jetik në tregun farmaceutik në vend.
Sipas tij, prej rreth dy muajsh ky ilaç nuk gjendet më në farmacitë shqiptare, ndërsa paralelisht është hequr edhe nga lista e barnave të rimbursueshme. Kjo ka krijuar një barrë të rëndë financiare për pacientët që janë të detyruar ta sigurojnë me shpenzimet e tyre, nëse arrijnë ta gjejnë.
Pacienti thekson se bëhet fjalë për një medikament të domosdoshëm për trajtimin e trombocitemisë esenciale, një sëmundje kronike që kërkon trajtim të vazhdueshëm dhe të kontrolluar. Mungesa e tij, sipas denoncuesit, rrezikon drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e pacientëve.
Ai shton se, edhe pse autoritetet përkatëse kanë premtuar zëvendësimin e këtij ilaçi me një alternativë tjetër, deri më tani nuk ka asnjë zgjidhje konkrete. Ndërkohë, pacientët vijojnë të përballen me pasiguri dhe kosto të papërballueshme mujore.
“Prej dy muajsh jemi pa mjekim. E kishim me rimbursim, tani është hequr dhe duhet ta blejmë vetë. Na është thënë se do të zëvendësohet, por asgjë nuk ka ndodhur. Me çmimet aktuale është e pamundur ta përballojmë, sidomos kur kemi edhe barna të tjera për të marrë”, shprehet ai.
Sipas tij, situata bëhet edhe më e rëndë për faktin se shumica e pacientëve janë me status invaliditeti dhe jetojnë me të ardhura të kufizuara, duke e bërë praktikisht të pamundur përballimin e kostove të trajtimit.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi furnizimin me barna jetike dhe funksionimin e skemës së rimbursimit, ndërsa pacientët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për të garantuar akses në trajtimin e domosdoshëm.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



