San Donato në Shqipëri, a po ‘kapitullon’ shëndetësia publike?
Investimi mes hijeve të dyshimta, ngre pikëpyetje të forta
Nuk bëhet fjalë thjesht për ndërtimin e një spitali. As për një investim të zakonshëm privat. Koha kur Gruppo San Donato vendos të hyjë në tregun shqiptar nuk duket aspak rastësore.
Prej disa kohësh, raporti mes Edi Ramës dhe Giorgia Melonit ka marrë një peshë të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë. Marrëveshja për emigrantët ishte sinjali i parë i fortë. Tani duket se bashkëpunimi po zgjerohet drejt një fushe shumë më të ndjeshme: shëndetësisë.
Në këtë lëvizje, një rol kyç luan Kamel Ghribi, drejtues i GKSD Investment Holding dhe një nga figurat kryesore të zgjerimit ndërkombëtar të grupit San Donato. Në vitin 2025 ai zhvilloi një takim me kryeministrin Rama në Tiranë, ku nënvizoi se klima politike mes dy vendeve krijon mundësi konkrete për investimet italiane.
Sot, ky vizion po merr formë përmes projektit më të madh që grupi ka prezantuar deri tani në Shqipëri.
Në pamje të parë, një investim i tillë është i mirëpritur. Bëhet fjalë për një nga grupet më të mëdha spitalore në Europë. Por pyetja që lind është më e thellë: pse pikërisht shëndetësia?
Ky është sektori ku për vite me radhë është premtuar “shëndetësi falas”. Është fusha ku janë shpenzuar miliarda nga buxheti i shtetit. Është një nga sektorët më të diskutuar për koncesionet dhe hetimet e vazhdueshme. Dhe mbi të gjitha, është sistemi ku qytetarët përballen ende me mungesë mjekësh, pritje të gjata dhe pagesa nga xhepi për shërbime që teorikisht duhet të jenë publike.
Në këtë realitet, hyrja e San Donato nuk është vetëm një zhvillim ekonomik. Ajo lexohet edhe si një sinjal politik: se zgjidhja për problemet e sistemit publik po kërkohet gjithnjë e më shumë jashtë tij.
Edhe ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e ardhur me profilin e një teknokrateje që do të sillte ndryshim në sistemin publik, përballet sot me një situatë të pazakontë. Ngjarja më e rëndësishme që lidhet me sektorin gjatë mandatit të saj nuk është një reformë e madhe shtetërore, por hyrja e një gjiganti privat në treg.
Në fund, çështja nuk është nëse San Donato është një investim i mirë. Pyetja që mbetet është tjetër: a po zhvendoset pesha e shëndetësisë nga sistemi publik drejt kapitalit privat, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë ta financojnë të parin me taksat e tyre?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



