E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Zv. Presidenti i PE në mes Tiranës: Erdha për t’u njohur me faktet!
Bota

Zv. Presidenti i PE në mes Tiranës: Erdha për t’u njohur me faktet!

Ștefănută: Njerëzit s’dalin 30 ditë në protestë me fëmijët e tyre se dikush i paguan!

Nënkryetari i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănută, iu bashkua protestës së mijëra qytetarëve në Tiranë, një lëvizje që nisi kundër projektit në Zvërnec dhe që tashmë është zgjeruar në një reagim të gjerë kundër qeverisë.

Në një intervistë për Deutsche Welle, eurodeputeti theksoi se vizita e tij ka për qëllim të kuptojë nga afër situatën dhe shqetësimet e qytetarëve, duke vendosur theksin tek transparenca dhe nevoja për verifikim të fakteve.

“Para së gjithash, jemi këtu për të mësuar faktet. Mendoj se të gjithë anëtarët e Parlamentit Europian, edhe unë si nënkryetar, duhet t’i njohim faktet. Duhet të dëgjojmë çfarë thonë njerëzit dhe të kuptojmë se çfarë ndiejnë. Do të takohemi me organizata të shoqërisë civile, me institucione dhe do të vizitojmë vende të ndryshme. Jemi këtu edhe për të mbështetur qytetarët, sepse ky flamur, simbolizon bashkimin e popujve.”, tha ai.

Ștefănută e krahasoi situatën në Shqipëri me protestat e zhvilluara në Rumani në vitet 2013–2015 kundër projektit të minierës së arit në Roșia Montană, duke theksuar se qytetarët atje arritën të ndalonin një iniciativë që konsiderohej e dyshimtë dhe jo transparente.

“Sepse më kujton atë që ndodhi në Rumani në vitet 2013–2015, me skandalin e projektit të minierës së arit në Roșia Montană. Edhe atje bëhej fjalë për një investim shumë të dyshimtë, jo transparent, që ngjallte dyshime për korrupsion. Rumunët dolën masivisht në rrugë për shumë muaj dhe arritën ta ndalonin atë projekt. Nuk ishte vetëm një çështje mjedisore, por edhe një çështje e shtetit të së drejtës dhe e drejtësisë. Mesazhi im për shqiptarët është se besoj se edhe ju mund ta ndaloni këtë projekt, i cili nuk është transparent, nuk është në të mirë të natyrës dhe as në të mirë të qytetarëve shqiptarë.”

Sipas tij, zgjerimi i protestës nga një kauzë mjedisore në një lëvizje më të gjerë politike është një zhvillim i kuptueshëm, që reflekton pakënaqësi të grumbulluara prej kohësh.

“Kështu ndodh kur grumbullohen shumë pakënaqësi. Ndonjëherë mjafton vetëm një shkëndijë. Besoj se shumë prej njerëzve që janë sot në rrugë kanë parë dhe përjetuar gjëra që i konsiderojnë të paligjshme apo të korruptuara. Pastaj ndodh diçka si ky projekt, që i bën të thonë: mjaft. Është e vërtetë që gjithçka nisi si një çështje mjedisore, por njerëzit e kuptojnë kur përballen me një padrejtësi. Prandaj nuk më habit që kjo është shndërruar në diçka shumë më të madhe sesa thjesht një çështje e mbrojtjes së mjedisit.”

Ai theksoi se prania e tij nuk lidhet vetëm me mbështetjen e protestës, por edhe me nevojën për të dëgjuar të gjitha palët dhe për të kuptuar realitetin në terren.

“Para së gjithash, jemi këtu për të mësuar faktet. Mendoj se të gjithë anëtarët e Parlamentit Europian, edhe unë si nënkryetar, duhet t’i njohim faktet. Duhet të dëgjojmë çfarë thonë njerëzit dhe të kuptojmë se çfarë ndiejnë. Do të takohemi me organizata të shoqërisë civile, me institucione dhe do të vizitojmë vende të ndryshme. Jemi këtu edhe për të mbështetur qytetarët, sepse ky flamur, simbolizon bashkimin e popujve. E di që shqiptarët duan me dëshpërim të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Mendoj se ata e meritojnë anëtarësimin në BE, por meritojnë gjithashtu shtetin e së drejtës dhe drejtësinë, ashtu si në Europë.”

Duke komentuar zhvillimet ligjore në vend, ai ngriti shqetësime mbi disa iniciativa që lidhen me ndërtimet në zonat e mbrojtura, duke kërkuar rishikimin e tyre.

“Disa prej ligjeve për të cilat flasin protestuesit janë vërtet të dyshimta. Për shembull, përjashtimet që lejojnë ndërtimin e hoteleve me pesë yje në zonat e mbrojtura nuk janë të pranueshme. Ndaj mendoj se këto ligje duhet të shfuqizohen sa më shpejt. Kjo duhet të reflektohet edhe në procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Rumania ka kaluar të njëjtin proces, duke përshtatur legjislacionin europian për t’u bërë pjesë e BE-së. Edhe ne e kemi bërë këtë. Prandaj këto standarde duhet të mbrohen. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është një mundësi e jashtëzakonshme, por ai shoqërohet edhe me përgjegjësi. Ne presim që qeveria shqiptare t’i respektojë këto përgjegjësi.”

Nënkryetari i Parlamentit Europian paralajmëroi se situata aktuale mund të ketë pasoja për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Po, për fat të keq. Ne duam që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Por gjithçka që krijon dyshime, pasiguri apo hedh hije mbi procesin e anëtarësimit nuk është në rregull. Në fund të fundit, anëtarësimi miratohet edhe nga politikanët dhe drejtuesit e vendeve anëtare. Nuk besoj se kjo krijon një imazh të mirë për qeverinë. Qeveria duhet të jetë këtu, të dëgjojë qytetarët, të negociojë me ta dhe të diskutojë se çfarë mund të ndryshohet. Ndërkohë, ajo që kemi parë është një lloj represioni ndaj protestave dhe shënjestrim i protestuesve. Kjo nuk është e pranueshme dhe bie ndesh edhe me vlerat e Bashkimit Europian.”

Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili ka sugjeruar se protestat mund të jenë të nxitura nga faktorë të jashtëm, eurodeputeti e hodhi poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar protestën si një reagim autentik të qytetarëve.

“Unë nuk e besoj këtë, sepse kam parë të njëjtën gjë edhe në vendin tim. Njerëzit nuk dalin në protestë me fëmijët e tyre sepse dikush i paguan. Nuk protestojnë për 30 ditë me radhë sepse pas tyre qëndron një qeveri e huaj. Nuk funksionon kështu. Këtu shoh të rinj, të moshuar, familje me fëmijë. Kjo është një protestë e vërtetë, e mbështetur mbi diçka shumë konkrete. Takova njerëz që kishin ardhur nga Suedia. Përse do të paguanin biletën për t’u kthyer në Shqipëri vetëm për të protestuar? Sepse u intereson vendi i tyre.”/DW

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.