E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
96% e bankave europiane, dobësi serioze në sigurinë kibernetike
Ekonomi

96% e bankave europiane, dobësi serioze në sigurinë kibernetike

🇬🇧 Read in English

BE ngre alarmin

Banka Qendrore Europiane lëshoi alarmin se 96% e bankave të mëdha në Europë kanë dobësi serioze në sigurinë kibernetike dhe varësi të rrezikshme nga ofruesit e jashtëm të teknologjisë. Edhe pse institucionet financiare gëzojnë rezerva të larta kapitali, vlerësimi i rishikuar mbikëqyrës (SREP) tregon se infrastruktura e tyre digjitale është e ekspozuar ndaj rreziqeve të larta operacionale.

Sipas vlerësimit të rishikuar mbikëqyrës të Bankës Qendrore Europiane të publikuar së fundmi, 96% e institucioneve të rëndësishme bankare në Europë rezultojnë me vlerësim rreziku “mesatar-të lartë” sa i përket sigurisë kibernetike, teknologjisë së informacionit (ICT) dhe varësisë nga palët e treta.

Fillimisht, BQE-ja e kishte vlerësuar këtë shifër në 92%, por pas një rishikimi të plotë të të dhënave të mbledhura nga mbikëqyrësit, bilanci u përditësua në 96%, duke ngritur alarmin për qëndrueshmërinë operacionale të sistemit financiar.

Ku qëndron rreziku?
Problemi kryesor i bankave europiane sot nuk lidhet me mungesën e likuiditetit, por me mënyrën se si ato menaxhojnë teknologjinë. Bankat po mbështeten gjithnjë e më shumë te ofrues të jashtëm për shërbimet cloud dhe infrastrukturën digjitale, duke krijuar një rrezik zinxhir ku dështimi i një furnizuesi të vetëm mund të paralizojë disa institucione njëherësh.

Kësaj varësie i shtohen edhe vështirësitë e brendshme në modernizimin e sistemeve të vjetra dhe integrimin e inteligjencës artificiale (AI), një proces që shpesh po sjell bllokime të shërbimeve për klientët.

Njëkohësisht, siç ka paralajmëruar kryetarja e Bordit Mbikëqyrës të BQE-së, Claudia Buch, vetë hakerat po e përdorin gjerësisht inteligjencën artificiale për të organizuar sulme kibernetike shumë më të shpejta dhe më të vështira për t’u zbuluar.

Bilanci i incidenteve teknologjike
Shqetësimi i autoriteteve europiane mbështetet në të dhënat konkrete të raportit të parë vjetor të institucioneve mbikëqyrëse (EBA, EIOPA, ESMA) në kuadër të rregullores së re për qëndrueshmërinë digjitale (DORA).

Sipas këtyre të dhënave, gjatë vitit 2025 në sektorin financiar të Bashkimit Europian u regjistruan plot 3,383 incidente të mëdha teknologjike – një mesatare prej rreth 282 incidentesh serioze në muaj.

Mbi 60% e këtyre rasteve ndodhën pikërisht në sektorin bankar. Rreth një e treta (29%) e incidenteve u shkaktuan direkt nga dështimet e furnizuesve të jashtëm të teknologjisë, ndërsa 31% e rasteve patën pasoja ndërkufitare, duke prekur klientët në disa vende njëherësh. Sulmet kibernetike direkte, si ransomware apo bllokimet e shërbimeve (DDoS), përbënë 10% të totalit.

Kundërpërgjigjja e BQE-së
Edhe pse kërkesat mesatare për kapitalin bazë (CET1) u mbajtën të pandryshuara në 11.3% për vitin 2027, BQE-ja e ka vendosur sigurinë digjitale në krye të prioriteteve të saj për vitet 2027–2029.

Bankave të mëdha u është kërkuar të dorëzojnë plane konkrete veprimi me afate të rrepta për mbrojtjen ndaj sulmeve të mundësuara nga AI. Për institucionet që nuk korrigjojnë mangësitë në kohë, BQE-ja ka paralajmëruar sanksione dhe rritje të kërkesave individuale për kapital.

Njëkohësisht, autoritetet po ushtrojnë presion që bankat të ulin varësinë nga gjigantët teknologjikë jo-europianë, në një përpjekje për të forcuar sovranitetin digjital të kontinentit dhe për të mbrojtur kursimet e qytetarëve./Kapitali

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.